Historike, Maqedonia e Veriut pjesë e Kampionatit Evropian

Historike, Maqedonia e Veriut pjesë e Kampionatit Evropian

Maqedonia e Veriut pas natës së sotme ka arsye për të festuar, pasi në ndeshjen finale të playoff-it kundër Gjeorgjisë në Tbilisi, ka arritur të shënoi fitore minimale, njofton Insajderi.

Gjatë tërë pjesës së parë, gjeorgjianët kishin nën kontroll takimin, por pa arritur të shënonin golin e epërsisë. Me rezultat të barabartë, 0:0 u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, të përzgjedhurit e Angelovskit ishin më agresiv, më kërkues në realizimin e golit, gol që do të jetë vendimtar në këtë takim.

Po zhvillohej minuta e 56’ të ndeshjes, në anën e majtë depërton bukur Elmas, duke kaluar dy lojtar kundërshtar, pastaj pas një tollovie në zonë, më mirë përfitoi veterani Goran Pandev që u asistua nga Nestorovski, duke shënuar me këmbën e majtë. Kështu duke mposhtur portierin gjeorgjian, Giorgi Loria.

Deri në fund të takimit, Gjeorgjia u mundua të barazonte rezultatin, ndërsa Maqedonia Veriore mbronte rezultatin, por kishte edhe disa raste shënimi, për të dyfishuar epërsinë. Deri në fund, rezultati ishte i pandryshuar, kështu Maqedonia Veriore shënon fitore 1:0, ndërsa siguron Kampionatin Evropian që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Kjo është arritje historike për Maqedoninë e Veriut, ngase për herë të parë siguron pjesëmarrjen në një kompeticion madhor. /Insajderi.com