Holanda vendos të lejojë lëvizjen e lirë të të gjitha kategorive të shtetasve shqiptarë drejt territorit të saj duke nisur nga data 24 qershor e në vijim.
Ambasada e Shqipërisë në Hagë njoftoi se bazuar në vlerësimin e qeverisë holandeze mbi nivelin e ulët të infektimeve, Holanda vendosi të lejojë përsëri lëvizjen e lirë të të gjitha kategorive të shtetasve shqiptarë drejt territorit të saj që prej datës 24 qershor e në vijim.
“Që prej ditës së nesërme, do të lejohet lëvizja e lirë për të gjithë shtetasit shqiptarë, jo vetëm për rezidentët shqiptarë në BE, apo për arsye specifike. Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë lirisht drejt Holandës edhe për qëllime turistike”, thuhet në njoftim.
Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës po ashtu, nuk kanë detyrimin të paraqesin testin PCR apo antigen në destinacion. Gjithashtu nuk është e detyrueshme karantina për udhëtarët të cilët udhëtojnë nga RSH në Holandë, pasi konsiderohet vend me rrezikshmëri të ulët infektimesh.
“Udhëzojmë në çdo rast udhëtarët që të kontaktojnë gjithnjë me kompanitë ajrorë që operojnë fluturimet e tyre, pasi këto kompani, në cilësinë e subjekteve private, mund të kërkojnë plotësimin e formularëve të veçantë apo kritere shtesë për pasagjerët në momentin e udhëtimit”./Insajderi.com