Holanda voton pro rikthimit të vizave për Shqipërinë

Holanda voton pro rikthimit të vizave për Shqipërinë

Parlamentarët holandezë kanë votuar në shumicë pro rikthimit të regjimit të vizave për Shqipërinë. Në procesin e votimit morën pjesë të 150-të legjislatorët e Kuvendit të Holandës, mes të cilëve 105 shprehën vullnetin për pezullimin e liberalizimit të vizave, ndërsa 45 të mbeturit e refuzuan propozimin.

Në total kanë qenë 9 parti politike (Partia Socialiste, PvdD, 50plus, VVD, SGP, CDA, CU, PVV, FVD) që dhanë 105 vota për të rikthyer vizat për shqiptarët.

“Parlamenti, pas diskutimeve, duke vënë në dukje se ka pasur një rritje të ndjeshme të kriminalitetit nga mafia shqiptare në Holandë dhe se këto organizata kriminale keqpërdorin mundësinë për të udhëtuar pa viza përmes Evropës që të zgjerojnë më tej rrjetin e kontrabandës, duke vënë në dukje se pezullimi i vizave për Shqipërinë u detyrua nga kushte të ndryshme, duke përfshirë parandalimin e krimit ndërkufitari kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent për liberalizimin e vizave”, shkruhet në deklaratën e parlamentit holandez.

Tri partitë kryesore parlamentare, të cilat kanë përkrahur më së shumti ndërmarrjen e kësaj mase drastike ndaj shqiptarëve janë Partia Socialiste, Partia për Liri dhe Partia Demokristiane. Rikthimi i regjimit të vizave që e kthen Shqipërinë shumë hapa pas në procesin e integrimit evropian, konsiderohet nga këto parti si e vetmja zgjidhje parandaluese e fenomenit të krimit të organizuar të shqiptarëve në Holandë. Megjithatë, pavarësisht votimit të sotëm të legjislativit holandez, kthimi i vizave mund të marrë karakter detyrues vetëm nga një vendim i Komisionit Evropian.