Pas vendimit të Kinës për ndalimin e transmetimit të BBC World News, transmetuesi publik i Hong Kongut gjithashtu njoftoi se nuk do të lejonte më transmetuesin britanik, transmeton Insajderi.
Radio Televizioni Hong Kong, në pronësi të qeverisë lokale në rajonin gjysmë-autonom të Kinës në Hong Kong, përmes një deklarate tha se do të ndalojë transmetimin e BBC World News duke filluar nga ora 11:00 (15:00 sipas kohës së Evropës Qendrore), raporton Anadolu Agency (AA).
Transmetuesi publik i Hong Kongut kishte transmetuar lajmet e BBC drejtpërdrejt brenda natës, nga ora 11:00 deri në 07:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Dje në mesnatë sipas kohës lokale, Administrata Kombëtare e Radios dhe Televizionit të Kinës ndaloi transmetimin e BBC në vend për shkak perceptimit të paragjykimeve.
Disa raporte të BBC-së për Kinën shkelën “parimet e vërtetësisë dhe paanësisë në gazetari”, theksoi rregullatori kinez i medias.
Kjo masë e Kinës erdhi disa ditë pasi rregullatori i transmetimit i Mbretërisë së Bashkuar, Ofcom, i mori licencën transmetuesit shtetëror kinez CGTN.
Përveç mbulimit të saj të Hong Kongut, Kina ka kritikuar raportimet e BBC rreth keqtrajtimit të muslimanëve ujgurë në rajonin veriperëndimor Xinjiang.
Mbretëria e Bashkuar ndalimin e quajti “të papranueshëm” ndërsa edhe SHBA në mënyrë të ngjashme dënoi vendimin për ndalim të transmetimit. /Insajderi.com