Hoteleritë e Kosovës kërkojnë ndihmë ekonomike nga shteti së paku 1 miliard euro

Hoteleritë e Kosovës kërkojnë ndihmë ekonomike nga shteti së paku 1 miliard euro

Vendimet e pandemisë për parandalimin dhe përhapjen e COVIVD-19 kanë ndikuar negativisht në sektorin e hotelerisë dhe turizmit.

Nga ky sektor kërkohen së paku 1 miliard euro si infuzion financiar në mënyrë që ky sektor të stabilizohet.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka thënë se sektori i hotelerisë dhe turizmit është njëri prej sektorëve më të atakuar në këtë kohë pandemie.

Sogojeva, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nëse nuk ndermirën hapa që të ndihmohet ky sektor me shuma të mëdha, atëherë dëmet do të jenë edhe më të mëdha.

Ai ka thënë se duhet të bëhet çmos që veprimtaria e hotelerisë dhe turizmit të rimëkëmbet.

“Nëse nuk ndërmerret një hap i konsiderueshëm i mjeteve, nëse nuk shkohet me 1 miliard se paku, ky sektor do të pësojë dëme shumë të mëdha, prandaj kam apeluar dhe apeloj që të bëjnë çmos Qeveria, Kuvendi, të gjitha institucionet që këtë ta shpëtojnë”, u shpreh Sogojeva.

Ai ka thënë se shumë prej bizneseve janë gjunjëzuar ndërsa nuk janë të paktë ata që deklarojnë se është më mirë të mbyllet biznesi se sa të punohet në kushtet aktuale sicc i lejojnë masat që janë anti-COVID ë janë në fuqi.

“Kemi për shembull raste që shumica e bizneseve, disa prej tyre që janë prononcuar në këtë mënyrë që ‘më mirë është mos të punohet se sa të punohet në këtë kohë’, për shkak të shpenzimeve, për shkak të punëtorëve që duhet t’i mbajnë, prandaj kjo nuk guxon me na ndodhë, duhet me marrë masa që kjo të eliminohet sa ma shpejt, po edhe kemi raste edhe ata që nuk i kanë përkrahë masat janë ndëshkuar. Sidomos në rajonin e Prizrenit Gjakovës, etj.”, tha ai.

Sogojeva tha se kërkesat e kësaj ode është të ulet TVSH-ja, si dhe zgjatja e orarit të punës, për këtë sektor.

“Kërkesat janë, e para sipas informatave që kemi do të thotë diku në fund të qershorit, Qeveria i ka aprovuar kërkesat tona që TVSH-ja të ulet nga 18%, në 8%, prandaj i lus deputetet, apeloj tek deputetët që sa më parë këtë ta kalojnë, do të thotë që TVSH-ja të ulet në 8%, sepse gjithë rajoni e ka këtë. Ndërsa e dyta, ne tani në bazë të kësaj që po shihet që veç kemi një rënie të të infektuarve, është mirë që të zgjatet orari deri në ora 00:00, sepse bizneset hoteliere e kanë këtë veprimtari. Do të thotë të zgjatet orari, por, normal duke iu përmbajte masave”, deklaroi Sogojeva.

Sogujeva ka thënë se ata që nuk i përmbahen masave do të ndëshkohen, por mos të pësojnë ato që vërtete, diku 70-80 përqind të bizneseve hotelierë i përmbahen masave të cilat dalin nga autoritetet. /Insajderi.com/