11 ditë – a ka ende shpresë për koalicionin Kurti-Mustafa?

11 ditë – a ka ende shpresë për koalicionin Kurti-Mustafa?

Albin Kurtit, të mandatuarit për kryeministër, i kanë mbetur vetëm dhe 11 ditë për krijimin e qeverisë.

Deri atëherë atij i mbetët të vazhdojë bisedimet me Isa Mustafën në tentim për ta arritur marrëveshjen e bashkëqeverisjes – bisedime këto që duket se kanë marrë teposhtëzen.

As sot, të dy liderët që për muaj tentojnë bashkimin në pozitë – nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për krijimin e qeverisë.

Por duket se gjithçka do të merr fund gjatë kësaj fundjave.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa pritet që të shtunën ose më së largu të dielën të takohen për t’i prezantuar njëra-tjetrës ofertat më të reja që në të njëjtën kohë konsiderohen ofertat e fundit për arritjen e marrëveshjes së bashkëqeverisje.

Gazeta Insajderi merr vesh se përgjigja për pranimin apo mos pranimin e tyre, do të jep epilogun e marrëveshjes apo dështimit të bisedimeve tre mujore ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje si partia e parë dhe LDK-së si parti e dytë.

Duket se Vetëvendosje e ka marrë seriozisht ultimatumin e Isa Mustafës të bërë tri ditë më parë.

Ai tha se deri në fund të javës do të dihet nëse do të ndodhë ose jo marrëveshja me Vetëvendosjen.

“Ne kemi dhënë një propozim që vlerësojmë se është shumë i balancuar që mendojmë se VV duhet ta trajtoj me vëmendje të veçantë dhe mbetemi të hapur që të ulemi të bisedojmë por ajo bisedë të ketë një përfundim me të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, tha Mustafa para medieve, shkruan Insajderi.

Ku ngeci marrëveshja për “koalicionin e shpresës?

Duket se takimi i fillimit të dhjetorit ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës “përçau” Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Dy partitë që tash e një kohë po tentojnë bashkimin për bashkëqeverisje, atë ditë nuk arritën të dakordoheshin kur erdhi puna te ndarja e posteve.

Pikërisht në atë moment – nisi saga VV-LDK – që tash e sa kohë s’ka fund, shkruan Insajderi.

Isa Mustafa, pasi që zgjodhi i pari ministrinë e Punëve të Brendshme, njëra nga ministrit të cilën vazhdimisht e kërkonte Vetëvendosje, e vuri si kusht edhe pozitën e të parit të shtetit.

Përçarja u thellua edhe më shumë, kur për postin e kryeparlamentarit u nominua Glauk Konjufca, i cili më pas mori edhe votat e LDK-së, ndonëse ku nominim kishte ndodhur pa dijeninë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Po pa dijeninë e Isa Mustafës, Albin Kurti përmes një video bëri të ditur edhe emrat e ministrave nga partia e tij.

Por, pas katër takimeve të pasuksesshme, në të cilat arrinin vetë të pajtoheshin që të takohen prapë, Kurti më 14 janar një ofertë të fundit siç thanë ata, përmes së cilës i propozonte Lidhjes Demokratike të Kosovës rritjen e numrit të ministrive.

Gazeta Insajderi e publikoi këtë ofertë, përmes së cilës LVV do të mbante pozitën e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e 2-të, një nënkryetar Kuvendi dhe 5 ministrit që ishin marrë vesh më parë. Derisa LDK-së ia lenin, zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri dhe dy zv.ministra më shumë.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhej tutje në propozim, shkruan Insajderi.

Pas një dite, Lidhja Demokratike e Kosovës, po me shkrim i është përgjigjur propozimit të Vetëvendosjes.

Isa Mustafa, insiston të marrë pozitën e kryeparlamentarit që zyrtarisht nga 26 dhjetori e ushtron Glauk Konjufca.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës)”, thuhet në propozimin e LDK-së, shkruan Insajderi.

Lidhja Demokratike, nuk është pajtuar as me rritjen e numrit të ministrive.

“Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët”, thuhet më tej në propozimin e LDK-së.

Mbetët të shihet deri në fund të javës dy liderët do ta bëjnë “hapin e madh”, apo gjithçka do të kthehet përfundimisht në “fillim”?/Insajderi.com