17 vjeçar është punëtori më i ri që ka vdekur në vendin e tij të punës gjatë këtij viti në Kosovë. Jetën e humbën edhe 18 punëtorë tjerë, kryesisht të sektorit të ndërtimit. Insajderi publikon listë e punëtorëve që vdiqën sivjet dhe emrat e kompanive ku ata ishin duke punuar.
Seldin Alija, është punëtori më i ri që ka vdekur gjatë këtij viti në vendin e tij të punës në Kosovë. 17 vjeçari, vdiq me 30 qershor, derisa ishte duke punuar në një kompani të stiroporit në Prizren.
Sipas informatave nga policia ai vdiq në incidentin që pati me mikserin që e prenë stiroporin në kompaninë “SatStyro”, shkruan Insajderi.
Punëtori më i moshuar vdiq disa ditë pas Alijajt.
Ragip Syla, 71 vjeçar, ishte duke pastruar në një deponi të materialit ndërtimor-dërrasave, në Lubizhdë të Prizrenit. Ai vdiq me 20 korrik pasi ra nga shkallës në lartësi prej 3 metra. I ndjeri nuk kishte pasur fare kontratë pune.
Për dhjetë muaj sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, janë gjithsej 19 punëtor kanë humbur jetën në vendin e punës. Deri në katër vdekje kanë ndodhur vetëm brenda një muaji.
Këta punëtor, kryesisht i takonin sektorit të ndërtimit, shkruan Insajderi.
Ndërsa për 5 vjet kanë vdekur 93 punëtor, rastet e vdekjeve të tyre ende nuk janë zbardhur. Për këtë është mbajtur edhe një protestë në Prishtinë. 93 helmeta janë vendosur në rrethojat e objektit të qeverisë. Sipas organizatorëve ato presin që të zbardhet secila vdekje e punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Insajderi publikon listë e punëtorëve që vdiqën sivjet dhe kompanitë ku ata ishin duke punuar.
1. Musli Krasniqi- vdiq me 30 janar 2018,
– Punëtor i kompanisë ndërtimore “Fitorja” nga Ferizaj, vdiq pasi gjatë zbrazjes së materialeve ndërtimore me vinç të kamionit, ka goditur telat e rrymës.
2. Fehmi Salihu – vdiq me 3 shkurt 2018
-Është rrëzuar derisa ishte duke punuar nga një lartësi prej 30 metrash, ishte punëtor në Korporatën Energjetike të Kosovës.
3. Arben Kutllovci, (45 vjeçar) vdiq me 18 mars 2018
45-vjeçar nga fshati Dobërllugë i Vushtrrisë, vdiq në fabrikën e përpunimit të mishit “Apetit Group”. Arbeni u qëllua për vdekje me një pistoletë TT në vendin e tij të punës.
4. Gentian Krasniqit, (23 vjeçar) vdiq me 1 prill 2018
-Ai ishte nga Malisheva, ra nga kati i shtatë i një ndërtese në „Rrugën B“ në Prishtinë derisa po punonte në kantierin e kompanisë “Diellona”.
5. Valon Berisha, (30 vjeçar) – vdiq me 24 maj 2018
-Ai mbeti i vdekur pasi ra nga kati i tretë i një objekti në Fushë Kosovë në objektin që po ndërtohej nga kompania Al Trade. I ndjeri ishte nga Drenasi.
6. Me 28 maj ka vdekur edhe një punëtor tjetër në Piranë të Prizrenit pasi është rrëzuar derisa ishte duke punuar në ndërtimin e një shtëpie. Nuk figurojnë të dhëna të tjera për të.
7. Seldin Alija, (17 vjeçar) – vdiq me 30 qershor 2018
-I riu nga Prizreni ka vdekur në fshatin Lubizhdë pasi sipas policisë ai kishte marrë mikserin që e prenë stiroporin në kompaninë Sat Styro
8. Shpëtim Kabashi, (23 vjeçar) vdiq me 7 korrik 2018-10-17
-I riu nga Rahoveci u godit nga rrufeja deri sa ishte duke punuar si punëtor ndërtimtarie në Gjakovë.
9. Sami Veseli, ka vdekur me 9 korrik 2018
-I ndjeri nga Vushtria kishte vdekur në bazën e KFOR-it në Novosellë, ishte punëtor për forcat paqeruajtëse KFOR për 15 vjet.
10. Ragip Syla, (71 vjeçar) ka vdekur me 20 korrik 2018
-Ai ka humbur jetën në vendin e punës, në Lubizhdë të Prizrenit, gjersa ishte duke pastruar në një deponi të materialit ndërtimor- dërrasave, pasi ka rënë prej shkallës në lartësi prej 3 metra. I nderi nuk kishte pasur kontratë pune.
11. Behram Ibishi, ( 54 vjeçar) vdiq me 5 gusht 2018
-I ndjeri nga fshati Nakardë ishte vrarë gjatë orarit të punës pasi ishte duke bërë roje në kompaninë private Lesna në Fushë Kosovë. Ai e kishte lajmëruar vet policinë pasi ishte plagosur. Kishte punuar për 20 vite si roje.
12. Rrezon Istrefi, ( 21 vjeçar) vdiq me 10 gusht 2018
-I riu humbi jetën kur ra në kontakt me rrymën elektrike, derisa ishte duke vendosur një kabllo të internetit në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë. I ndjeri punonte në kompaninë Ardi Net.
13. Milor Belegu, (23 vjeçar) – vdiq me 27 gusht 2018
-I riu nga komuna e Pejës ka humbur jetën përderisa po punonte në ndërtimtari në Kashic të Istogut.
14. Isa Sejdiu, (37 vjeçar) vdiq me 4 shtator 2018-10-17
-Ai u vra me dy plumba nga kolegu i tij në vendin e tij të punës në Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës. 37 vjeçari ishte nga Vushtria.
15. Një punëtor tjetër vdiq gjatë muajit shtator. Të dhënat tjera për të nuk janë bërë publike.(Ato nuk i posedojnë as Sinidkata e punëtorëve të sektorit Privat).
16. Agonis Tetaj, (29 vjeçar) vdiq me 23 shtator 2018
-I riu nga Lluka e Ulët, është vrarë në vendin e tij të punës në Kompaninë “Gogaj-AG” në Deçan. Sipas policisë vrasja ka ndodhur aksidentalisht nga Sh.G, djali i pronarit të kompanisë.
17. Sefer Kryeziu (53 vjeçar) vdiq 24 shtator 2018
-53 vjeçari nga Malisheva ka vdekur në vendin e tij të punës pasi që ka rënë nga ndërtesa ku po punonte në lagjen Arbëria në Prishtinë.
18. Milazim Bajraktarin, (45 vjeçar) vdiq me 06 tetor 2018
– Ra nga kati i shtatë i ndërtesës që po fasadonte, në lagjen Arbëria, në Prishtinë. Ishte punëtor i kompanisë Gentas HPL Panel.
19. Musa Halili, (51 vjeçar) vdiq me 15 tetor 2018
-Ishte duke ndërruar disa prej shtyllave elektrike në fshatin Banjë të Malishevës. Ishte punëtor i kompanisë “Mont Comerc”, derisa për t’i kryer këto punë ishte kontraktuar nga KEDS-i.
Lexo edhe: