sot është injoruar nga dega e partisë së tij në Gjilan. Em" />

Deklaratat skandaloze të Sami Kurteshit, të cilin VV e Gjilanit nuk e do për deputet

Pesë ditë pasi akuzoi Isa Mustafën për "përfshirje në urdhrin" që rezultoi me vdekjen në burg të Astrit Deharit, Sami Kurteshi ka pranuar një lajm të keq nga Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës është tash e pesë vite. Vitet e ish-Avokatit të Popullit në Lëvizjen Vetëvendosje janë karakterizuar me deklarata skandaloze e kontradiktore

Deklaratat skandaloze të Sami Kurteshit, të cilin VV e Gjilanit nuk e do për deputet

Sami Kurteshi, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje sot është injoruar nga dega e partisë së tij në Gjilan. Emri i tij nuk është përfshirë askund në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan Gazeta Insajderi.

Por, cilat mund të jenë arsyet që Kurteshi u përjashtua nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan?

Vetëm disa orë pas dështimit për arritjen e një koalicioni parazgjedhor me LDK-në, Kurteshi akuzoi Isa Mustafën për siç thotë ai vrasjen e Astrit Deharit, aktivistit të LVV-së.

Kurteshi, përmes një shkrimi në Facebook, kishte shtruar pyetjen: “Kush e vrau Astrit Deharin”, në tre vjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte përmendur kryetarin aktual të LDK-së, asokohe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, si të përfshirë në “urdhrin e pushtetit politik-policor”, që sipas tij, arrestoi gjashtë aktivistë të VV-së – në mesin e tyre edhe Astrit Deharin.

“Sot, më 30 gusht, mbushen tre vjet qëkur me urdhër të pushtetit politik-policor të udhëhequr nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli, nën akuzën për terrorizëm, u arrestuan 6 aktiviste/ë të Lëvizjes Vetëvendosje”, është shprehur Kurteshi, në një shkrim të publikuar në Facebook.

E përgjatë këtij shkrimi, Kurteshi përdori gjuhë linçuese edhe ndaj Mentor Shalës dhe Ridvan Berishës, drejtorit dhe përkatësisht kryeredaktorit të Transmetuesit Publik, që sipas tij, nuk raportuan siç duhet në rastin e Astrit Deharit, duke i akuzuar ata se fshehën të vërtetën.

Ndaj kësaj gjuhe të Kurteshi, javën e kaluar ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e cilësuar linçuse dhe të papranueshme gjuhën e tij.

Fyerjet, ofendimet e sharjet të Sami Kurteshit ndaj oponentëve politikë nuk janë të pakta, prezantimet e tij publike me raste mund të cilësohen edhe si skandaloze.

Tri vite më parë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e pati quajtur lopë ministren e Drejtësisë e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Dhurata Hoxha.
Kurteshi ishte shprehur se kjo ministre i përket, siç ka thënë ai, “klikës vrastare të një qeverie fashiste”, shkruan Insajderi.

“Sonte ne Rubikon është duke folur lopa “transparente” quajtur ministre ne Kosovë, e cila është pjesë e klikës vrastare të kësaj qeverie fashiste vrastare!”, thënë ai.

Për të mos mjaftuar me keq, ai veçse shtoi ofendimet ndaj Hoxhës. Ai vazhdoi me polemika kundër ish-ministres duke e quajtur atë si ‘kultivuese të kurvërisë politike’.

Kurteshi ka thënë se, ministrja Hoxha, jo vetëm që nuk meriton një kërkim-falje, por meriton çdo përbuzje politike e shoqërore që mund të bëhet, teksa ditë më parë e kishte quajtur ‘lopë’.

E katër muaj më parë Sami Kurteshi ishte pjesë e një ‘spektakli’ ku rolin kryesor e kishin ai dhe Presidenti, Hashim Thaçi.

E gjithë ngjarja u zhvilluar në njërën nga mbledhjet e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars të vitit që shkoi.
Sami Kurteshin e tradhtuan emocionet kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, mbërriti për të raportuar në Komisionin Hetimor për “Gylenistët”.

Kurteshi, i cili njihet si kritikues i ashpër i presidentit Thaçi, ishte i vetmi – bashkë me bashkëpartiakun e tij, Xhelal Sveçla – që u ngritën në këmbë për të përshëndetur presidentin Thaçi.

Me të vërejtur se Thaçi nuk i përshëndeti asnjërin prej tyre, Kurteshi dhe Sveçla u tërhoqën dhe u ulën sërish në vendet e tyre. Pastaj filluan akuzat e kundër-akuzat mes dyshes.

Thaçi i tha Kurteshit se e dinë si e ka refuzuar ta merr në parti kur ka qenë anëtar i SHIK-ut. Teksa Kurteshi i quajti shpifje akuzat e Thaçit.

“Këto janë shpifjet më të poshtra që i bën një njeri me emrin Hashim Thaçi, këto janë fore të killavta të tyre”, tha ai.

Sami Kurteshi ishte deputet në legjislaturën e fundit dhe kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara lokale. /Insajderi.com