EKSKLUZIVE: “DHUNË DHE FALSIFIKIM I IDENTITETIT”, ARRESTOHET VËLLAI NARKODILER I DEPUTETES SË LSI-SË

Eldin Dergjini, vëllai i deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Amra Barova, është arrestuar në Graçanicë për një rast sulmi me shishe. Pas arrestimit është zbuluar se ai, ka identitet të ri në Kosovë. Emri i tij, është Ferdi Berisha, i lindur më 10 janar 1986 në Obiliq. Vendbanimi në Mitrovicën e Veriut.

EKSKLUZIVE: “DHUNË DHE FALSIFIKIM I IDENTITETIT”, ARRESTOHET VËLLAI NARKODILER I DEPUTETES SË LSI-SË

Ka më shumë se dy javë që vëllai i një deputeteje nga Shqipëria, po mbahet në paraburgim në Kosovë.

Eldin Dergjini (Barova), vëllai i deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Amra Barova, është arrestuar më 22 nëntor të këtij viti në një fshat të Graçanicës, për shkak të një sulmi me shishe që i kishte bërë një personi.

Por, arrestimi i tij ka zbuluar dhe rikonfirmuar përfshirjen e administratës së Kosovës në krim të organizuar – shitje të dokumenteve dhe të shtetësive për kriminelë të huaj.

Në një hulumtim me vazhdime para disa javësh, Insajderi zbuloi shitjen e shtetësive të kosovarëve që jetojnë jashtë, trafikantëve të drogës kryesisht turq e malazias.

Dergjini, është pajisur me identitet të ri në Kosovë. Emri i tij është Ferdi Berisha, i lindur më 10 janar 1986 në Obiliq. Vendbanimi në Mitrovicën e Veriut. Dergjini është pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës më 7 shtator të këtij viti.

Insajderi ka siguruar kopjen e letërnjoftimit të tij.

Eldin Dergjini, është i njohur në Shqipëri dhe Itali për veprime kriminale të lidhura me drogën, sulme të policëve dhe veprave tjera. Së fundi, ai ishte aksidentuar në Shqipëri me një veturë Mercedes G Class me targa ruse.

Policia e Kosovës, i ka dhënë Insajderit, detaje të arsyeve të arrestimit dhe paraburgosje së shtetasit të Shqipërisë.

“Më 22.11.2019 në ora 07:50, është raportuar rasti ‘sulm’ në fshatin Preoc të Graçanicës me ç’rast është arrestuar i dyshuari me kombësi shqiptar pasi që i njëjti e kishte gjuajtur me shishe qelqi viktimën mashkull. Me vendim të prokurorit të dyshuarit i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka shkëmbyer informata me Policinë e Shqipërisë duke shkëmbyer të dhëna me qëllim vërtetimin e identitetit të të dyshuarit. Policia ka thënë se është zbuluar se i dyshuari ka identitet dhe dokumente të Kosovës, për çka Njësia e krimeve ekonomike po kryen hetime.

Dy ditë më vonë, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Prishtinës, të dyshuarit nga Shqipëria që është vëllau i deputetes së i LSI-së, i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Hetimet nen mbikëqyrjen e Prokurorit të Shtetit janë duke vazhduar në drejtim të sqarimit të situatës lidhur me identitetin e të dyshuarit dhe dokumenteve që janë gjetur tek i dyshuari. Në këtë drejtim një mori veprimesh hetimore janë ndërmarr nga Hetuesit e Stacionit Policor Graqanicë, ndërsa veprimet e më tejme hetimore do të vazhdojnë nga Hetuesit në Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit”, ka tëhën Kelani për Insajderin.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve të Insajderit, se si ka mundësi që me kaq lehtësi shtetas të huaj të marrin dokumente dhe shtetësi të Kosovës,

Muaj më parë pothuajse të gjithë mediat e Shqipërisë kishin raportuar për Eldin Dergjinin. 34-vjeçari Eldin Dergjini (Barova), nga Shkodra, banues në Tiranë, mbrëmjen e 12 shtatorit të këtij viti ishte aksidentuar me veturën e blinduar me targa ruse, në afërsi të sheshit “Shqiponja”.

Ai kishte ndërruar mbiemrin në Shqipëri për shkak të veprave penale.

Eldin Dergjini, kishte deklaruar në Polici se dikush e kishte ndjekur nga prapa me automjet duke e goditur makinën e tij, çka solli edhe daljen nga rruga.

“Kam qenë duke ecur me makinë me shpejtësi. Vura re që kisha një automjet pas, por nuk e di nëse po më ndiqte. Ajo makinë më goditi nga pas. Humba kontrollin dhe u përplasa me një bordurë dhe makina ime u batua në rrugë. Nuk e pashë mjetin që më goditi “, mësohet të jetë shprehur Dergjini, raportonte “Shqiptarja.com”.

Eldin Dergjini udhëtonte me një makinë të blinduar me targa ruse, një automjet tip ‘Mercedes Benz G Class’ me targë H001CH 199, vlera e të cilit shkon diku mes shifrave 150-250 mijë euro. Që këtu lindin dyshimet e para se ai i ruhej një atentati, për shkak se makina ishte e blinduar. Pas aksidentit, Dergjini ishte larguar nga vendi i ngjarjes duke shkuar në një spital privat.

“Pas aksidentit nuk kisha shumë plagë në trup, jam larguar në këmbë për pak metra mora taksi dhe erdha në spital. Makinën e kam marrë nga jashtë, ka pak kohë që e kam marrë dhe prisja të bëja dokumentet”, i kishte thënë ndër të tjera Eldin Dergjini, Policisë.

Por dëshmia e tij nuk kishte qenë shumë bindëse për policinë pasi ende nuk ishte zbuluar se kush ishte taksisti që e dërgoi në spital, por as makina që e ka goditur nga pas.

Burime zyrtare nga Policia e Shqipërisë kishin konfirmuar se targa ruse e automjetit nuk ishte e regjistruar në sistemin doganor të hyrjes në Shqipëri, duke hedhur poshtë pretendimin e tij se ishte në pritje të bërjes së dokumenteve.

Kësisoj, përforcohej dyshimi se mjeti ishte i kontrabanduar, ndërsa targa ishte e falsifikuar.

Dyshimet janë se 34-vjeçari nuk ka qene i vetëm me makinë por me një tjetër person. Edhe nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se makina e blinduar është goditur nga një tjetër automjet nga pas duke ngritur dyshimet e një atentati të mundshëm ndaj personave që lëviznin me blindin me targa ruse.

Eldin Dergjini rezulton të jetë me precedente të mëparshme penale. Në vitin 2014 është arrestuar në Tiranë dhe më pas gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.

Por jo më larg se gushtin e kësaj vere, Dergjini është arrestuar në Himarë për shkak se ishte kapur me armë pa leje. Por edhe në këtë rast ai është lënë i lirë në rrethana të dyshimta.

Por, historia e tij nuk mbaron me kaq.

Dergjini, ishte dënuar para një viti në Trieste të Italisë për trafik droge. Tash, ai ndodhet në paraburgim në Kosovë për vepër penale “sulm”. Arrestimi, zbuloi se ai posedon dokumente të Kosovës me identitet të ri.

Besohet se në Kosovë, ai jeton që një kohë të gjatë. /Insajderi.com

MPB nën kthetrat e krimit – trafikantë ndërkombëtar të drogës pajisen me shtetësi të Kosovës