fbpx

Grushte, shuplaka e karrige – Të gjitha rastet e dajakut gjatë procesit zgjedhor në LDK

Grushte, shuplaka e karrige – Të gjitha rastet e dajakut gjatë procesit zgjedhor në LDK

Përplasje verbale, breshëri grushtesh, shuplakash e karrigesh kanë identifikuar procesin e brendshëm zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ka filluar nga fundi i muajit prill.

Përplasjet filluan në qytetin e Mitrovicës për të vazhduar më pas në kryeqytet.

Përleshjet fizike brenda LDK fillimisht filluan në degën e kësaj partie në Mitrovicë. Kandidatë ishin Safet Kamberi e Faton Peci. Përleshja ndodhi për shkak të pakënaqësive ndërmjet delegatëve të kësaj dege. I pranishëm në momentin e përleshjes ishte edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti – ani pse ky i fundit mohoi të ketë qenë prezent.

“Sqarim: unë nuk kam qenë prezent në ngjarjen që po raportohet si përleshje në kuvendin e një nëndege në Mitrovicë. Për te gjitha detajet, Kryesia e Degës së LDK-së në Mitrovicë do të njoftojë opinionin me një deklarate publike”, kishte shkruar Hoti në Facebook.

Teksa, kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, pas një konsultimi me drejtuesit e LDK-së në Prishtinë, kishin marrë vendim që të ndërpritet i tërë procesi zgjedhor i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Pa probleme nuk shpëtoi as nëndega e tretë e LDK-së në Kodër të Trimave. Kandidati për kryetar të kësaj nëndegë kishte deklaruar se kuvendi zgjedhor është tentuar të organizohet në mënyrë të fshehët.

“Ne kemi shkuar si banorë, lagjja më ka caktuar mua si kundërkandidatë dhe në momentin që ata e kanë parë që ne jemi shumicë, kanë marrë vendim të ndërpritet ky kuvend me arsyetimin se nuk ka organizim të mirë”, kishte thënë Vitia për Insajderin.

Me 13 qershor në nëndegën “MATI 1” , në Prishtinë pati një tjetër përplasje fizike mes anëtarëve të kësaj partie. Në media u raportua se në përplasje ishin përfshirë përkrahësit e ish-ministrit Arban Abrashi dhe kryetarit të Degës III, Hazir Borovcit, pasi që të dytë pretendojnë pozitën e parë të Degës së III të LDK-së, e njohur si Dega e Ibrahim Rugovës.

Përleshja brenda LDK-së: Ti kuke mafijash more

Përleshja brenda LDK-së: Ti ishe mafijash more

Gepostet von Insajderi am Donnerstag, 13. Juni 2019

Anëtari i nëndegës në lagjen “MAT 1” me inicialet B.G, ishte arrestuar nga Policia e Kosovë.

Vetëm një ditë më pas me 14 qershor në orët e mbrëmjes në “Kodër të Trimave” në nëndegën e LDK-së pason përleshja tjetër fizike – kësaj radhe u desh edhe ndërhyrja e policisë.
Sipas raportimeve të medieve besohet se përleshja ka ndodhur mes policisë dhe disa personave të pa identifikuar.

Incidentet e LDK-së nuk mjafton me kaq. Nga përleshjet në kryeqytet nëpër nëndegë të ndryshme sherri plas edhe në qytetin e Ferizajt.


Në një shkollë në fshatin Koshare të Ferizajt teksa po mbahej procesi zgjedhor, situata eskalon dhe fillojnë fjalosjet e grushtet.


Gjatë ditës së djeshme, (16 qershor) sërish në “Matin 1” në degën e njohur si si dega e presidentit Ibrahim Rugova, pati përplasje të ashpër.

Nga kjo përplasje disa delegatë të kësaj dege janë shoqëruar për në polici.

Pavarësisht rrahjeve me karriga në “Mati 1” është zgjedhur kryetari dhe nënkryetari i nëndegës së LDK-së. Që të dy janë të krahut të Hazir Borovcit.

Sherif Vrajolli është zgjedhur kryetar i nëndegës teksa nënkryetar, Kreshnik Hoxha.

Për këto përleshje kryetari i zgjedhur i nëndegës së Matit, Sherif Vrajolli fajëson ish-kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës Arban Abrashin. Sipas tij, ai nuk punon për partinë, por për interesa personale.

Rikthehen rrahjet me karrige në LDK

Pamje ekskluzive: Shpërthen banditizmi i mbështetësve të Hazir Borovcit e Arban Abrashit të LDK-së. Breshëri grushtesh, shuplakash e karrigesh.

Gepostet von Insajderi am Sonntag, 16. Juni 2019

Insajderi ka tentuar të kontaktoje me Abrashin, por ky i fundit ka refuzuar të flasë në lidhje me rastin.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është deklaruar në lidhje me përplasjet që po ndodhin brenda degëve e nëndegëve të kësaj partie duke thënë se do të kërkojë nga organet përgjegjëse që ato të anulohen.

“Të gjithë duhet ta dinë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statutin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet. Si Kryetar i LDK-së do të kërkoj nga organet përgjegjëse që ato të anulohen”, ka thënë Mustafa, shkruan Insajderi

Ai thotë se të tillët do të ndëshkohen dhe se nuk do të kenë mundësi asnjëherë të jenë në strukturat e partisë. Madje, Mustafa ka thënë se njerëz të partive tjera janë ata që po prishin tubimet e LDK-së.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar, Avdullah Hoti i ka quajtur këto raste si të izoluara dhe që nuk janë në kulturën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor brenda LDK-së do të mbahet edhe Kuvendi i Përgjithshëm ku pritet të zgjidhet kryetari i ardhshëm i kësaj partie. Përveç, kryetarit aktual Isa Mustafa dhe kandidatit të vetëm zyrtar deri më tani, Lutfi Hazirit, janë përmendur edhe emrat e Agim Veliut, Haki Rugovës e Vjosa Osmanit./Insajderi.com