Tërheqja e ambasadorëve nga kryediplomati Glauk Konjufca e ka nervozuar presidentin Hashim Thaçi.
Nga ai moment Konjufca dhe Thaçi nuk kanë pasur asnjë komunikim.
Të gjitha propozime-tërheqjet i pari i diplomacisë ia ka dërguar të parit të vendit për dekretim në bazë të ligjeve.
Mirëpo, ka dy muaj që Thaçi s’i ka kthyer asnjë përgjigje Konjufcës.
Në ministrinë e Punëve të Jashtme akuzojnë Presidentin për neglizhencë të këtij procesi.
“Ne i kemi dërguar propozimet për tërheqjen e ambasadorëve politik, të cilët janë duke vepruar në një mandat të dytë e që është i jashtëligjshëm, tek Presidenti i Republikës, por deri më tani kemi hasur në një neglizhencë të madhe tek ky institucion”, ka thënë për Insajderin, Kreshnik Ahmeti, shefi i kabinetit të ministrit në detyrë Glauk Konjufca.
“Presidenca nuk ka qenë në gjendje t’i përgjigjet asnjë prej dokumenteve të adresuara nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në presidencë për të marrë përgjigje nëse do t’i dekretojë kërkesat e Konjufcës apo jo, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.
Pavarësisht kësaj, ministria e Konjufcës do të realizojë kthimin e këtyre ambasadorëve deri me 30 qershor.
“Asnjë nga Ambasadat apo Konsullatat e Republikës së Kosovës nuk ka mbetur pa konsuj. Vendimet e Ministrit Konjufca për realizimin e rotacionit, si proces për respektimin dhe vendosjen e ligjshmërisë në Shërbimin e Jashtëm, do të realizohen më 30 qershor. Pra, të gjithë diplomatët që kanë vendime për t’u kthyer do të punojnë në misionet ku janë deri në atë datë”.
Ambasadorët s’mund të shkarkohen pa vendimin e Hashim Thaçit
Madje, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, janë duke u zhvilluar procedurat e konkursit të brendshëm ku do të përzgjidhen diplomatët e rinj që do t’i zëvendësojnë këta që janë propozuar të tërhiqen.
“Në anën tjetër, proceset e konkurseve të brendshme, të cilat bëhen për herë të parë në historinë e MPJD-së, për t’i përzgjedhur diplomatët e radhës të cilët do të shkojnë në këto misione, do të përfundohen shumë para datës 30 qershor. Pra, ende pa u kthyer diplomatët të cilët i kanë vendimet për kthim, ne do t’i kemi diplomatët të cilët do të shkojnë në këto misione”, tha për Insajderin, shefi i kabinetit të kryediplomatit kosovar.
Po ashtu, Ahmeti thotë se janë duke punuar në riorganizimin e misioneve të Shërbimit të Jashtëm në mënyrë që të ketë një përfaqësim më të mirë dhe më efikas se sot.
“Nuk duhet të harrojmë që nga e kaluara na kanë mbetur misione të cilat janë të stërngarkuara me diplomat dhe rastet e tilla duhet të shqyrtohen në mënyrë që të kursehet buxheti shtetëror, për të mundësuar hapjen e misioneve të reja në vendet ku është i nevojshëm ndikimi i Republikës sonë”.
I pari i diplomacisë kosovare pati propozuar tërheqjen e shtatë ambasadorëve dhe 14 konsujve nga përfaqësimi i Kosovës në misionet diplomatike në botë.
Në mesin e ambasadorëve ishin Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.
Diplomatët ende nuk janë larguar nga misionet përkatëse, ata do të veprojnë në pozitat e tyre derisa të kthehen në Ministrinë e Punëve të Jashtme. /Insajderi.com