Mashtrimet e konsumatorëve nga hipermarketet – dënohet edhe “Super Viva”

Blerjet në hipermarketet e Kosovës po dalin të jenë mashtrim për konsumatorët, të cilëve nëpër rafte të produkteve u ekspozohet një tjetër çmim, por kur shkojnë te arka paguajnë tjetër çmim. Normalisht çmimi tek arka është më i shtrenjtë. E për këtë Inspektorati i Tregut ka gjobitur tri rrjetet më të mëdha të marketeve në Kosovë, ‘ETC’, ‘Viva Fresh Store’ dhe tash së fundi një gjobë të tillë ka marr edhe ‘Super Viva’.

Mashtrimet e konsumatorëve nga hipermarketet – dënohet edhe “Super Viva”

Çmimet e prezantuara afër produkteve që janë te vendosura në hipermarketet e mëdha kosovare po dalin të jenë jo të vërteta.  Çmimi i prezantuar pranë disa produkteve është më i lirë sesa në fakt paguhet tek arka.

Insajderi ka gjetur një seri prej së paku tre markteve të mëdha në Kosovë që tashmë janë dënuar për mashtrim të konsumtarit. Ata mashtrojnë në çmime përkundër faktit se të hyrat e tyre janë multi-milionëshe pikërisht nga paratë e konsumatorëve.

Kësisoj dënimet e shtetit  prej 1 mijë deri në 2 mijë ndaj tyre janë të ulëta krahasuar me të hyrat e mëdha që realizojnë këto markete.

Një prej tyre që së fundmi është dënuar edhe Mustafë Rexhepi, drejtor i subjektit afarist “Super Viva” me njësinë në Prizren në rrugën “William Walker”. Biznesi i tij ka të hyra milionëshe. Por është gjobitur me 2 mijë euro për shkak se ka mashtruar konsumatorët duke vendosur për disa produkte tjetër çmim në raft dhe tjetër çmim tek arka e marketit, shkruan Insajderi.

Vendimin për gjobitje të “Super Vivës”, e ka marr Inspektorati i Tregut që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, më 29 dhjetor të vitit 2017.

Inspektorati i Tregut ka gjetur se dy produkte ushqimore: “Margarinë Vital” dhe “Margarinë Zvijezda”, nuk kanë pasur çmimin e njëjtë si atë të raftit dhe të pagesës.

“Margarinë Vital”, kishte çmimin 0.40 euro në raft, por konsumatorët janë mashtruar tek arka, ata janë detyruar që të paguajnë çmimin e këtij produkti në vlerë prej 0.42 euro.

Ndërkaq për produktin tjetër, “Margarinë Zvijezda”, konsumatorët e “Super Vivës”, në Prizren, kanë paguar 0.47 euro për këtë produkt edhe pse ai kishte të vendosur në raft çmimin 0.42 euro. Në arkën fiskale konsumatorët kanë paguar 0.05 euro më shumë.

Përveç këtij mashtrimi që ka bërë “Super Viva” me çmime të produkteve ata kanë mashtruar konsumatorët duke përdorur dy peshore të cilave ju ka skaduar afati më 3 mars të viti 2017.

“Prandaj një veprim i tillë është në kundërshtim neni 9. Paragrafi 3 të Ligjit Nr, 04/L-121 ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’ 76 pika 1.11 e të po të njëjtit ligj”, thuhet në arsyetimin e Inspektoratit të Tregut, të cilin e ka siguruar Insajderi.

Për këto veprime “Super Viva”, është e detyruar që ta paguaj shumën në vlerë prej 2 mijë eurove brenda tetë ditëve prej datës kur e ka pranuar aktvendimin.

Insajderi i ka dërguar pyetje “Super Vivës”, javën e kaluar lidhur me këtë çështje, por gazeta nuk ka marrë përgjigje.

Gjobitet “Viva Fresh” për mashtrim ndaj konsumatorit me çmime të produkteve

Veprimet e paligjshme të hipermarketeve tjera

Me një mijë euro (1,000) gjobë është dënuar kompania “ELKOS Group”, pasi mashtroi konsumatorët dhe dëmtoi ata financiarisht. Kompania që është në pronësi të deputetit Ramiz Kelmendi është dënuar për mashtrimin që ka realizuar njëri nga marketet në pronësi të saj, “ETC” në Lipjan.

Inspektorati i Tregut ka gjetur se dy lloje produkteve të marketit “ETC” në Lipjan, kanë pasur mospërputhje mes çmimeve të ekspozuara në rafte, me çmimet e të njëjtave produkte tek arka e marketit.

Kaçkavalli “Triolino Prima” kishte çmimin 0.69 euro në raft, por klientët janë mashtruar tek arka, kur janë detyruar të paguajnë çmimin e këtij produkti të djathit në vlerë prej 0.75 euro. Konsumatorët kanë paguar 6 cent më shumë, se sa çmimi i paraqitur në raft.

Ndërkaq, konsumatorët e marketit të “ETC” në Lipjan, kanë paguar 4 euro e 99 cent për produktin e qajit “Gold Emona”, edhe pse ky produkt kishte të vendosur çmimin prej 4 euro e 75 centëve në raft. Në arkën fiskale konsumatorët kanë paguar 0.24 euro më shumë për qajin “Emona”.

Vendimin për gjobitje të “ELKOS Group” e ka marrë Inspektorati i Tregut që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, më 10 janar të këtij viti.

Po ashtu edhe hipermarketi, “Viva Fresh” pronë e Xhevdet Rexhepi i cili ka miliona të hyra vjetore nuk i ka mjaftuar që t’i mashtroj konsumatorët e tij.

Inspektorati i Tregut ka gjetur se dy lloje të produkteve të marketit “Viva Fresh”, në Prishtinë, kanë pasur mospërputhje mes çmimeve të ekspozuara në rafte, me çmimet e të njëjtave produkte tek arka e marketit.

“Shllag krem i bardh” kishte çmimin 0.48 euro në raft, por klientët janë mashtruar tek arka, kur janë detyruar të paguajnë çmimin e këtij produkti në vlerë prej 0.55 euro. Konsumatorët kanë paguar 7 cent më shumë, se sa çmimi i paraqitur në raft.

Ndërsa për produktin tjetër konsumatorët kanë paguar 0.75 euro.“Vafer Pleasura” edhe pse kishte të vendosur çmimin prej 0.69 euro në raft. Në arkën fiskale konsumatorët kanë paguar 6 cent ma shumë.

Kjo kompani, është e detyruar që shumën në vlerë prej 1 mijë eurove ta paguajë brenda tetë ditëve prej datës kur e ka pranuar aktvendimin.

Të dy këto kompani janë kontaktuar nga Insajderi mirëpo nuk kanë marr asnjë përgjigje deri më tani.

Mashtroi konsumatorët me çmimet e produkteve – gjobitet kompania “ELKOS”

Gjobat nga Ministria e Tregtisë dhe reagimi i “Konsumatorit”

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë për Insajderin se deri më tani ka shqiptuar 19 gjoba ndaj bizneseve të cilat kanë mashtruar klientët e tyre me çmime.

“Inspektorati i Tregut i MTI-së është njëri prej faktorëve kyç në mbrojtjen e konsumatorëve, kështu që inspektorët qendrorë të MTI-së në periudhën e fundit kanë shqiptuar 19 gjoba”, ka thënë MTI për Insajderin.

Ministria nuk ka dashur të jap detaje, teksa ka thënë se “Inspektorati është i obliguar që t’i ruajë të dhënat dhe informatat sipas parimit të besueshmërisë dhe vetëm atëherë kur ekziston të rreziku serioz për jetën dhe shëndetin e njerëzve”.

Po ashtu edhe  Selatin Kaçaniku, Kryetar i Organizatës “Konsumatori”, ka thënë se shumë markete në Kosovë po vazhdojnë me mashtrimet me çmimet e dyfishta.

“Përkundër ankesave të shumta të qytetarit konsumator dhe të Org. KONSUMATORI shumë markete vazhdojnë mashtrimet me çmimet e dyfishta. Qytetarët konsumatorë të pavëmendshëm po e paguajnë shtrenjtë shopingun”, ka thënë Selatin Kaçaniku”, ka thënë ai.

Kaçaniku ka bërë thirrje për qytetarët që të kenë vëmendje dhe ti verifikojnë produktet të cilat i blejnë e pastaj t’i blejnë.

“Qytetarët po bien pre e reklamave mashtruese, po mashtrohen me aksione e fushata. Edhe ashtu shumica e çmimeve janë më të larta se të njëjtat, edhe më cilësore, në shtetet e BE-së.

Kujdes, mos i besoni askujt. Fillimisht verifikoni, pastaj sfidoni besimin,e në fund shikoni se si do t ia bëni”, ka thënë ai. /Insajderi.com