Ndryshimi i dyshimtë i strukturës së pozitave në ATK nga drejtori Murtezaj

Pothuajse tre muaj pas një rekomandimi të Ministrisë së Administratës Publike (MAP) drejtuar Administratës Tatimore (ATK) për të mos e ndryshuar strukturën e pozitave të brendshme të këtij institucioni publik, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka marrë vendim kundër këtij opinioni të MAP-it.

Ndryshimi i dyshimtë i strukturës së pozitave në ATK nga drejtori Murtezaj

Pothuajse tre muaj pas një rekomandimi të Ministrisë së Administratës Publike (MAP) drejtuar Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për të mos e ndryshuar strukturën e pozitave të brendshme të këtij institucioni publik, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka marrë vendim kundër këtij opinioni të MAP-it.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka aprovuar pozitat e reja brenda institucionit të tatimeve më 9 dhjetor të 2019-s, ndonëse Qeveria e Kosovës ka mbajtur pozicionim kundër kësaj reforme.

Ministria e Administratës Publike i kishte tërhequr disa herë vërejtjen ATK-së se e ashtuquajtura Rregullore për Organizim të Brendshëm të agjencisë së pavarur, e miratuar nga ATK-ja në muajin maj të vitit të kaluar, nuk u ishte nënshtruar procedurave që përcakton ligji.

Përplasjen ndërmjet MAP-it dhe ATK-së e dëshmon një shkresë zyrtare që Ministria e Administratës Publike ia kishte dërguar drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezajt, më 10 shtator të vitit të kaluar.

Ky njoftim i MAP-it, të cilin e ka siguruar Gazeta Online Insajderi, nënvizon se më 30 gusht të vitit të kaluar, në një takim të nivelit të lartë ndërmjet Ministrisë dhe ATK-së, të përfaqësuar nga drejtori Murtezaj, zyrtarët e MAP-it ia kishin bërë të qartë Murtezajt se nuk ekziston mundësi ligjore për aprovim të pozitave të reja në ATK.

“Bazuar në njoftimin e datës 10 korrik 2019 në lidhje me rregulloren për Organizim të Brendshëm të ATK-së të cilën e ka miratuar vet ATK-ja me datë 17 maj 2019, potencohet se ATK nuk ju ka nënshtruar procedurave që ka përcaktuar Ligji për Funksionimin dhe Organizimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura për aprovimin e rregulloreve”, thuhet në njoftimin e MAP-it, drejtuar ATK-së më 10 shtator të 2019-s.


Njoftimi i MAP-it drejtuar ATK-së/ Insajderi.com

Megjithatë, as shkresat zyrtare e as takimet e nivelit të lartë ndërmjet zyrtarëve të MAP-it dhe atyre të ATK-së – përmes së cilave qeveria synonte t’ia bënte të qartë shefit të ATK-së të mos vepronte në kundërshtim me ligjin – nuk i ndryshuan mendjen Ilir Murtezajt.

Murtezaj, më 9 dhjetor të vitit të kaluar e nënshkroi vendimin për të ndryshuar strukturën e brendshme të ATK-së.

Vendimi, i cili ishte miratuar nga ATK-ja më 17 maj të 2019-s, mori formë të prerë në dhjetor kur dokumenti zyrtar për ristrukturimin e pozitave në ATK u bë publik, raporton Gazeta Insajderi.


Rregullorja për ndryshimin e pozitave në ATK, e nënshkruar nga Ilir Murtezaj

Mënyra e dyshimtë e aprovimit të Rregullores së Brendshme të ATK-së nuk është e vetmja parregullsi e shpërfaqur e ATK-së. Disa sërë parregullësish, përfshirë keqpërdorime financiare dhe atyre me tenderë, kanë prekur këtë agjenci financiare nën udhëheqjen e Ilir Murtezajt.

Shtatë ditë më parë, ATK-ja u godit nga një skandal që dëshmonte mosveprimin e ATK-së ndaj një kompanie që kishte abuzuar me faturë fiktive.

Një hulumtim i publikuar nga Gazeta Online Insajderi javën e kaluar hodhi dritë mbi një transaksion fiktiv në vlerë prej afër 100 mijë eurove të zhvilluar nga kompania “PBC Kosova”, nën pronësi të biznesmenit Gazmend Selmani, për të cilin ATK-ja nuk kishte marrë masa asnjëherë. Rasti kishte ndodhur gati shtatë vjet më parë.

Pas shtatë vitesh, ani pse nuk kishte ndërmarrë masa ndaj kompanisë në fjalë, Administrata Tatimore e shpërbleu të njëjtën firmë me kontratë prej 10 milionë eurosh – një tender të cilin PBC Kosova e kishte fituar në konsorcium me tri kompani të tjera.

Mirëpo, nuk është vetëm firma PBC Kosova e “amnistuar” nga Administrata Tatimore.

Drejtori Ilir Murtezaj po refuzon ta suspendojë nga puna inspektorin tatimor të agjencisë, Samir Ismajlin, të dyshuar për marrje ryshfeti.

Burime të Insajderit kanë bërë të ditur se drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, e ka mik të ngushtë inspektorin e bizneseve të mëdha, Samir Ismajli, prandaj ka refuzuar suspendimin e tij.

Një fotografi e publikuar nga Gazeta Insajderi rreth dy javë më parë, dëshmojnë afërsinë e inspektorit Samir Ismajli me drejtorin Ilir Muretzaj.

Ngjarja që implikon në ryshfet Samir Ismajlin, inspektorin e “amnistuar” nga drejtori Murtezaj, kishte ndodhur muaj më parë. Aferën e kishte publikuar emisioni dokumentar, InDoks.

InDoks kishte siguruar bisedën ndërmjet një inspektori të Administratës Tatimore, i cili dyshohet të ketë qenë inspektori Samir Ismajli, dhe një biznesmeni.

Ky audio-incizim ka të bëjë me një biznesmen që kishte telashe me ATK-në, pasi iu morën disa mijëra euro nga një inspektor i po këtij institucioni. Inspektori i kërkonte që paratë t’i ktheheshin, pasi ai nuk kishte mundur që të kryente punë.

Keqpërdorimet e dyshuara të jenë kryer nga zyrtarët e ATK-së nuk kanë kaluar pa u parë as nga Prokuroria e Shtetit.

Në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, pas një hetimi të gjatë Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ngriti aktakuzë ndaj Safet Krasniqit, ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Njësisë Tatimore dhe të Inteligjencës në ATK, i suspenduar nga puna disa javë më parë.

Krasniqi dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Për 6 vjet radhazi, zyrtari i suspenduar i ATK-së dyshohet se u kishte siguruar kundërligjshëm dobi pasurore 120 bizneseve ekonomike dhe vetes. Sipas aktakuzës, Krasniqi për disa biznese nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet, vizitë, kontrolle, rikontrolle e as inicim të procedurave penale. /Insajderi.com