PDK cakton Elmi Reçicën mbikëqyrës të Rashit Qalajt

PDK cakton Elmi Reçicën mbikëqyrës të Rashit Qalajt

Rashit Qalaj, Drejtori i Policisë së Kosovës, pritet të raportoj për skandalet në këtë institucion të sigurisë para shokut të tij, Elmi Reçicës. Partia Demokratike e Kosovës, ka caktuar Reçicën si anëtar të Komisionit për Çështjet e Sigurisë. Qalaj pritet të “sfidohet” nga shoku i tij, përfshirë skandalin e gazit lotsjellës dhe rehatimin e “djelmoshave të tij” në pozita të rëndësishme në polici.

Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Kadri Veseli, ka caktuar deputetin Elmi Reçica, si anëtarë të Komisionit për Çështjet e Sigurisë në Kuvendin e Kosovës. Pikërisht në këtë komision pritet që së shpejti të raportojë për skandalet në polici, shoku i tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.

Prej se Rashit Qalaj është emëruar drejtor i Policisë, në gusht të vitit 2018, ky institucion i sigurisë është përballur me disa skandale, shkruan Gazeta Insajderi.

Para dy jave, policja nga Gjilani, Valdete Bllaca, të cilës për shkak të problemeve shëndetësore, zyrtarisht i ishte marrë arma zyrtare, arriti ta marrë përsëri atë dhe me të njëjtën dyshohet se vrau katër anëtar të familjes e në fund edhe veten.

Përveç këtij skandali, Policia e Kosovës, në kundërshtim me rregullat për blerjen e armëve, i kishte huazuar Policisë së Shqipërisë 500 granata gazi lotsjellës, për shuarjen e protestave të opozitës atje. Qalaj tha se gazin e huazoi pasi që kontaktoi me kompaninë me të cilën kontaktoi përmes ambasadës Franceze në Kosovë. Kjo ambasadë e demantoi Qalajn.

Disa muaj pasi mori drejtimin e policisë, Qalaj emëroi krahun e tij të djathtë, Bashkim Spahiu drejtor të Krimeve Ekonomike, duke zëvendësuar kështu Nazim Sahitin, që ishte i përfshirë në disa skandale, shkruan Gazeta Insajderi.

Që nga ajo kohë të paktën 4 hetues të këtij departamenti të rëndësishëm të policisë së Kosovës janë arrestuar për përfshirje në vepra të rënda penale si “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Ryshfet ndaj bizneseve”.

Për krejt këto skandale, Qalaj pritet të ftohet të raportojë në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvend. Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka deklaruar se raportimi i Qalajt për skandalet në polici është i pashmangshëm.

Por aty Qalaj, pritet të “sfidohet” nga pyetjet e shokut të tij të afërt, Elmi Reçicës.

Ndonëse tash e disa mandate Reçica është deputet i Kuvendit të Kosovës, është hera e parë që është caktuar si anëtar i këtij komisioni. Herë të tjera ka qenë anëtar, respektivisht kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.

Në këtë mandat të ri, si deputet Partia Demokratike e Kosovës, e ka vendosur si mbikëqyrës të policisë Elemi Reçicën, shokun e Rashit Qalajt.

Qalaj, ka pranuar afërsinë shoqërore me Reçicën, deputetin e pushtetshëm të PDK-së dhe ish-numrin 2 të ShIK-ut.

Dy ditë pasi Insajderi publikoi një hulumtim që dëshmon ndikimin e madh të Elmi Reçicës në Policinë e Kosovës, Qalaj është shprehur se Reçica është “njëri prej politikanëve” me të cilët ai shoqërohet.

“Unë mund të them që njoh shumë politikanë, jam mik me shumë prej tyre. Unë kam shumë njerëz me të cilët unë jam rritur me ta. Mos të harrojmë që këta njerëz që tashmë janë pjesë e politikës, përpara kanë qenë njerëz të zakonshëm; nxënës të shkollës së mesme”, ka thënë Qalaj në Rubikon të KTV-së.

“Normalisht që gjatë viteve krijohen edhe lidhjet shoqërore. Edhe me z. Reçica, edhe me politikanë të tjerë me të cilët kam shoqëri”, ka thënë Qalaj.

Caktimin e Reçicës si anëtar në këtë komision nuk e ka komentuar Partia Demokratike e Kosovës. Zyra për informim e kësaj partie, përkundër që ka konfirmuar se ka pranuar pyetjet e gazetës nuk është përgjigjur në to.

Gazeta Insajderi, ka raportuar në vazhdimësi për skandalet në policinë e Kosovës.

Insajderi ka zbuluar se drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri. Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës.

500 granata me gaz lotsjellës, ishin dërguar atje. Por për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

Qalaj kishte thënë se ka kontaktuar me kompaninë përmes ambasadës Franceze. Kjo ambasadë ka demantuar Qalajn se ka qenë ndërmjetësuese.

Gazeta ka raportuar se Qalaj ka rehatuar edhe “Djeloshat” e Elmi Reçicës në policinë e Kosovës.

Gjithashtu, gazeta ka shkruar se si katër hetues të krimeve ekonomike e korrupsionit, përfshirë Sylë Bejtën, Naim Thaçin, Lavdim Osmanin, Lutfi Menxhiqin, ishin arrestuar brenda disa muajve pasi janë të përfshirë në veprime të kundërligjshme përfshirë edhe haraçin ndaj bizneseve.

Insajderi ka raportuar se edhe 337 zyrtarë policorë punojnë në kundërshtim me gradat e përcaktuara me ligj. Me urdhër të Rashit Qalajt është dëmtuar buxheti i Policisë me rreth 200 mijë euro në vit. /Insajderi.com