Përgjimet për Fajde: Hashimi-Dalladakut: 2 milionë ki me ja dhanë me 1 qershor

Data 1 qershor e vitit 2012, ishte caktuar si afati kur Faton Dalladaku do të mund ta nënshkruante dy kontrata për blerjen e spitalit të zemrës brenda QKUK-së në Prishtinë. Në përgjimet e siguruara nga Insajderi, Rrahim Hashimi i kërkon 2 milionë euro për nënshkrimin e këtyre kontratave.

Përgjimet për Fajde: Hashimi-Dalladakut: 2 milionë ki me ja dhanë me 1 qershor

Me 18 shkurt të vitit 2012, Faton Dalladaku kishte zhvilluar takim me tashmë të dyshuarin për fajde, Rrahim Hashimin.

Ai i premtonte Faton Dalladakut se me 1 qershor do t’i nënshkruante dy kontrata për ta marr në pronësi spitalit të zemrës brenda QKUK-së i cili ndodhet afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Po për nënshkrimin e tyre, Hashimi i thotë se duhet të paguaj shumën prej 2 milionë eurosh.

Gazeta Insajderi, ka siguruar përgjimet e grupit të dyshuar për fajde, ku janë të përfshire Rrahim Hashimi, Kadri Rexhepi, Ekrem Lika dhe Faton Dalladaku. Në këto përgjime dëshmohet se si për katër muaj, Dalladaku kishte zhvilluar takime të vazhdueshme me këta persona, për të marrë në pronësi këtë spital.

Në një takim të datës 18 shkurtit Rrahim Hashimi, i tregon Dalladakut se ishte takuar me nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Halitin.

Fillimisht i thotë se 200 mijë eurot që Dalladaku ia kishte dhënë më herët nuk përfshiheshin në shumën tjetër që do të duhej të paguante ai.

Rrahim Hashimi: 200 mijëshja jem nuk hin aty, tash veç qysh është muhabeti komplet tash ja 500 mijë ja 600 mijë në mujt ekstra përveç 56 qinshit, ki mi dhanë ka 15 mijë në vjet, domethënë po i bjen ka, domethënë po të heket tri të katërtat e mjeteve po të bjen një e katërta, a po i bjen qashtu prej 600 mijë, tjetër çka është me rëndësi në qat 600 janë hi krejt shpenzimet që janë bo deri qitash mbulohen edhe jesin zero zero. 2 milionë ki me ja dhanë me 1 qershor, dmth janë dy kontrata, të martën në sabah edhe të hanen edhe 99%.

Insajderi të hënën ka publikuar përgjimin në të cilin dëgjohen Kadri Rexhepi duke përmendur edhe kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe nënkryetarin e Kuvendit Xhavit Haliti, si personat që qëndronin prapa kësaj punë dhe të cilët i kishin premtuar se pronësia e Spitalit do t`i kalonte Faton Dalladakut.

Rexhepi, në rolin e sekserit vazhdimisht gjatë bisedës insiston të bind Dalladakun se nuk është duke u mashtruar në këtë rast.

Rrahim Hashimi, ishte arrestuar të hënën e kaluar bashkë me grupin e të dyshuarve për fajde e mashtrim në krye me Ismet Osmanin i njohur si Curri, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaçin ndërsa në këtë grup si të dyshuar janë edhe Ekrem Lika dhe Zek Jasiqi të cilët gjenden në arrati.

Është i vetmi nga ky grup që u lirua nga paraburgimi, ndonëse të tjerët kanë mbetur në paraburgim prej 30 ditësh.

Hashimi i cili ka qenë ish-pjesëtar i “Forcave Komando Delta” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga brigada 138, para dy muajve ai kishte njoftuar se ishte ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale më 9 prill të këtij viti.

Ai ishte arrestuar në maj të vitit 2017 nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast të penal. /Insajderi.com