Disa muaj pas mbylljes së Kalasë së Novobërdës për vizitorët për shkak të rrënimit të mureve, zyra e Bashkimit Evropian ka kërkuar që kompania serbe që ka “shkatërruar” ato, t`i rinovoj. Punimet pritet të nisin këtë javë. Përveç kompanisë serbe “Koto”, të angazhuara në punime ishin edhe dy kompani vendore.
Gjashtë muret e shkatërruara të Kalasë së Novobërdës, pritet të kthehen në gjendjen normale.
Zyra e Bashkimit Evropian, e cila kishte ndarë 1 milion euro për restaurimin e kësaj kalaje, e ka konfirmuar për Insajderin se punimet pritet të fillojnë këtë javë.
Përfaqësuesi i kësaj zyre, Safet Kabashaj, tha se pasi janë njoftuar për shkatërrimin e mureve kanë kërkuar të bëhet vlerësimi për shkaqet. Bazuar në gjetjet ata kanë përgatitur një plan për rehabilitimin e dëmeve, pastaj kanë kërkuar miratim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Të gjitha dokumentacionet teknike janë dërguar për rishikim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila lëshoi leje-ndërtimin. Sapo u zbulua se disa struktura guri të kështjellës u copëtuan pjesërisht, kontraktorëve i’u kërkua që të bëjnë vlerësimin për shkaqet e shkatërrimit. Bazuar në gjetjet u përgatit plani i punës për rehabilitimin e dëmeve në strukturat e gurit dhe më pas u miratua nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ne presim që punimet e restaurimit të fillojnë këtë javë”, tha Safet Kabashaj për Gazetën Insajderi.
Paratë e ndara nga Bashkimi Evropian, ishin menaxhuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Shkencë, Edukim e Kulturë (UNESCO), e cila kishte kontraktuar kompanisë serbe “Koto” për restaurimin e Kalasë.
Zyra e Bashkimit Evropian, ka njoftuar se përveç kompanisë “Koto”, në restaurim kanë punuar edhe kompania “Izolimi” nga Prishtina si dhe “Izol-Promet” nga Graçanica.
Këto kompani, sipas BE-së, ishin përzgjedhur në bazë të konkurrencës ndërkombëtare. Kurse për dizajnin teknik dhe mbikëqyrjen ishte kontraktuar “Core l.l.c” nga Kroacia.
Kompanitë e lartpërmendura nga Zyra e BE-së, nuk ishin përmendur më herët se kanë qenë të angazhuara për renovimin e Kalasë së Novobërdës.
Pas shkatërrimit të kalasë, Institucioneve vendore u kërkohet mbikëqyrje
Fillimisht institucionet vendore nuk kanë qenë pjesë e projektit për renovimin e Kalasë së Novobërdës e as si mbikëqyrëse të tij. Por pas shkatërrimit të gjashtë mureve, zyra e BE-së e ka kontraktuar si mbikëqyrëse.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që tashmë është pjesë e mbikëqyrjes së rifillimit të punimeve, nuk e dinë ende një datë të saktë kur do të nis puna.
Drejtori i këtij Instituti, Ismet Hajrullahu, i thënë gazetës se janë në pritje të konfirmimit të datës së fillimit të punimeve nga Zyra Satelit e UNESCO-s në Sarajevë.
Mirëpo, nuk është përgjigjur në pyetjen e Gazetës Insajderi, kur është pyetur se a është sërish materiali i renovimit (gëlqere dhe zall), që ekspertët kanë vlerësuar se përveç të tjerash edhe ajo ka ndikuar në shkatërrimin e kalasë.
“Projekti i renovimit parasheh sanimin e dëmeve të mureve të Kalasë”, është përgjigja e Hajrullahut.
Ai ka thënë se kësaj here do të ketë mbikëqyrje nga institucionet e Kosovës.
“Po, do të ketë mbikëqyrje nga Komisioni Profesional i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, ka thënë shkurt Ismet Hajrullahu për Gazetën Insajderi.
Gazeta Insajderi, në shkrimin e mëparshëm ka paraqitur edhe një raport të bërë nga disa arkeolog shqiptarë e kosovarë, të cilët pas nisjes së punimeve e kanë paralajmëruar Ministrinë e Kulturës në lidhje me mos kryerjen mirë të punimeve. Ata nuk ishin marr parasysh nga ky institucion shtetëror.
Përveç kësaj, është raportuar nga Gazeta Insajderi, se vite më parë, mediat serbe kanë shkruar për kompaninë serbe, që nuk është e licencuar për ndërhyrje në monumente të trashëgimisë kulturore. Por, kjo duket që nuk u ka bërë përshtypje as përzgjedhësve të fituesve të projektit mbi 1 milionësh e as shtetit kosovar.
Renovimi i Kalasë së Novobërdës nuk ka qenë projekti i vetëm në Kosovë i kompanisë serbe “Koto”.
Janë edhe katër projekte tjera të cilat UNESCO, ia ka besuar kësaj kompanie. Ato janë objekte të trashëgimisë kulturore në Kosovës, që në listën e UNESCO-s figurojnë si pjesë e trashëgimisë serbe.
Në nëntor të vitit 2010-të, Qeveria Ruse, dhuroi 2 milionë dollarë për UNESCO-n, që ato para të shkonin në rindërtimin e manastirit serb të Deçanit, Graçanicës, Patriarkës së Pejës dhe Kishës së Virgjëreshës së Shenjtë të Lëvizjes në Kosovë. Këto objekte të Kosovës janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-së, si trashëgimi serbe./ Insajderi.com