Shteti ia sekuestron Milaim Zekës tri banesa – dyshohet se u blen me para të pista

Tri banesa në vlerë mbi 150 mijë euro ia ka sekuestruar shteti deputetit Milaim Zeka. Këto banesa në një prej komplekseve më ekskluzive në Prishtinë, dyshohet se janë blerë me para që kanë prejardhje prej krimit.

Shteti ia sekuestron Milaim Zekës tri banesa – dyshohet se u blen me para të pista

Tri banesa të blera nga Milaim Zeka në njërin prej komplekseve më ekskluzive në Prishtinë, janë sekuestruar nga shteti.

Paratë për blerjen e këtyre banesave kompleksin afarist-banesor Nartel Center në lagjen Lakrishte në Prishtinë, dyshohet se kanë prejardhje nga mashtrimi që Milaim Zeka dhe partneri i tij, Ilir Krasniqi u kanë bërë 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani.

Sekuestrimi i banesave është bërë të premten me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Pasuria është ngrirë për 21 ditë. Brenda kësaj periudhe pritet të mbahet seancë me kërkesë të Prokurorisë Speciale për ngrirjen e tyre deri në përfundim të hetimeve dhe gjykimit të Zekës për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Pagesat për këto tri banesa përputhen me kohën e hapjes dhe veprimtarisë së firmës “Ilir Krasniqi Milaim Zeka OP”, pronë e dy të dyshuarve.

Prej tri javësh, deputeti Milaim Zeka ndodhet në arrest shtëpiak. Ndërkaq, partneri i tij Ilir Krasniqi, në paraburgim.

Insajderi ka siguruar të dhëna zyrtare të blerjes, pagesave dhe sekuestrimin që ka bërë shteti të këtyre tri banesave, që dyshohet se janë blerë më para të krimit.

Detajet e shitblerjes së banesave dhe pagesat për të janë zbuluar nga një dokument i kompanisë ENK & CO të siguruar nga Insajderi. Aty theksohet se Zeka ka paguar 153.901.00 euro brenda pesë muajsh.

Pagesat shkojnë nga 10 mijë deri në 23 mijë. Vetëm në muajin gusht të vitit 2016, Zeka kishte paguar 60 mijë euro.

Në dosje theksohet se më 23 dhjetor 2015, deputeti Zeka, kishte nënshkruar një parakontratë me kompaninë ENK & CO për blerjen e tri banesave në ndërtim e sipër: banesa 04-22 me sipërfaqe prej 111.80 metra katror në katin VII-të në bllokun B; banesa 05-23 me sipërfaqe prej 93.21 metra katror në katin e 7 – blloku B dhe banesa 01 – 43 me sipërfaqe prej 74. 81 metra katror në katin 11 – blloku B.

“Çmimi i përgjithshëm i kontratës për shitblerje të këtyre banesave është në vlerë prej 153.901.00 euro”, ka sqaruar kompania në shkresën zyrtare të dërguar nga Kompania, në Policinë e Kosovës.

Pagesat e blerjes së banesave janë kryer në xhirollogarinë e kompanisë ENK & CO në Raiffaisen Bank:

Më 1 gusht 2016, Zeka ka paguar 10.000 euro. Tri ditë më vonë, më 4 gusht ka paguar 10 mijë euro tjera. Me 15 gusht 2016 ka paguar po ashtu 10 mijë euro. Dy ditë më vonë – me 17 gusht ka paguar 10 mijë euro tjera. Me 24 gusht 2016, Zeka ka paguar edhe 10 mijë euro.

Me 2 shtator 2016 ka paguar 10 mijë euro. Me 10 shtator 2016, ka paguar 10 mijë euro. Me 6 tetor 2016 edhe 20 mijë euro. Me 2 nëntor 2016, Zeka ka paguar 20 mijë euro.  Me 17 nëntor 2016, deputeti i NISMËS ka paguar 20 mijë euro dhe me 31 dhjetor 2016, ka paguar 23 mijë e 901 euro, duke përmbyllur pagesat e këtyre tri banesave.

Disa javë më parë Insajderi zbuloi një skemë mashtrimi me viza të ngritur nga Milaim Zeka, me anë të së cilës dyshohet se janë mashtruar 920 kosovarë.

Gjatë kohës sa ka funksionuar kompania e Zekës dhe Krasniqit, dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash. Kosovarët e mashtruar kanë paguar prej 50, deri në 3500 euro.

Firma ishte regjistruar më 2 shkurt 2016 në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. “Zyra e punësimit” ishte hapur në të njëjtin ambient me zyrat e portalit “Pa rrotlla” në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Stafi i zyrës kishte mbajtur në krah karta identifikimi me mbishkrimin “Pa Rrotlla”.

Ndërkohë, Zeka ishte tërhequr me letra nga firma me arsyetimin se është person publik. Firma më vonë është quajtur “Ilir Krasniqi O.P”. Zyrat firmës janë në pronësi të deputetit, Milaim Zeka.

Prokuroria dyshon se që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, Milaim Zeka, Ilir Krasniqi dhe F. K. si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga Ilir Krasniqi, kanë ndarë detyrat, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

“Fillimisht të pandehurit Ilir Krasniqi e Milaim Zeka me datë 02.02.2016, kanë regjistruar biznesin ‘Ilir Krasniqi e Milaim Zeka OP’, me numër biznesi 1284891, si agjenci punësimi…, kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani”, thuhet në aktvendim.

“Përmes reklamave kanë joshur qytetarët që të aplikojnë në zyrat e tyre në lagjen ‘Pejton’ në Prishtinë, e që me këtë aktivitet kriminal është përfshirë edhe e pandehura F. K., për përgatitjen e dokumentacionit për punë në Gjermani, në biznesin e saj.., për rregullimin e kopshteve”, pretendon Prokuroria.

Prokurori saktëson se Milaim Zeka e Ilir Krasniqi, kanë mashtruar rreth 920 aplikues, duke u marrë shuma të caktuara parash.

Prokuroria ka arritur deri tash të vërtetojë se Zeka e Krasniqi kanë përfituar me anë të mashtrimit 249 mijë e 700 euro.

Me përfitimin e kundërligjshëm të kësaj shume parash, deputeti Milaim Zeka dyshohet se ka dëmtuar Republikën e Kosovës duke mos i paguar tatimin.

Ata kanë deklaruar në ATK zero qarkullim, ndërkohë që në zyrat e tyre merrnin para në dorë nga aplikuesit. Si pasojë, i janë shmangur detyrimeve tatimore.

“Pas shqiptimit të gjithëmbarshëm të shkresave të lëndës…, si dhe listës së të dëmtuarve.., dëshmitarëve, ekziston dyshim i arsyeshëm se të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror dhe mashtrim të personave të interesuar për punësim në Gjermani”, shkruan në vendimin e prokurorit për zgjerim hetimesh.

“Po ashtu duke mos i kryer obligimet tatimore ndaj shtetit të Kosovës, për transaksionet financiare të bëra në mënyrë fiktive, i janë shmangur dhe tatimit ndaj shtetit të Kosovës”.

Ndërkohë disa prej viktimave të Zekës dhe Krasniqit kanë shkuar në Polici dhe e kanë denoncuar rastin.

Ilir Krasniqi, kishte biseduar shumë herë me Zekën me telefon duke i kërkuar që mos ta ngarkonte vetëm atë me lidhjet që ka me Polici. Insajderi ka publikuar bisedat mes tyre.

Krasniqi u ka thënë hetuesve se gjithçka ka bërë me Milaim Zekën.

Krasniqi ka thënë se gjysmën e parave i ka marrë Milaim Zeka. Ka treguar edhe për marrëveshjen me Zekën që emri i tij të hiqet nga “agjencia e punësimit”.

“Unë se bashku me Milaim Zekën më datën 2 qershor 2016 e kemi hapur këtë agjenci. Jemi marrë vesh me të që të mos figurojë emri i tij për shkak se është figurë publike dhe se kjo firmë të shkruhet vetëm në emrin tim”, ka thënë Krasniqi para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ai ka thënë se nuk e ka ditur se veprimet e tij janë të ndaluara me ligj derisa e kishte thirrur Policia. Aso kohe ndodhej në Gjermani. Kishte ardhur dhe ishte paraqitur në Polici.

Milaim Zeka, kishte mohuar gjithçka. ai i kishte thënë Insajderit se vetë e ka iniciuar rastin në Polici. Ka thënë se nuk ka lidhje me këtë punë dhe është shprehur siç ka thënë ai i lumtur që ka nisur hetimi.

“Kurrë me Ilir Krasniqin nuk kam punua përpos që Ilir Krasniqi ka qenë me qira tek zyrat e mija dhe fillimisht e kemi pas hapur një biznes së bashku për kthim të dokumenteve por biznesi ka qenë inekzistent d.m.th. asnjë veprim nuk është bërë në emër të biznesit”, ka thënë Zeka.

Zeka ka thënë se dy muaj pas themelimit të biznesit e ka dërguar kërkesën për shuarjen e tij, por se sipas tij, Ilir Krasniqi nuk ka pranuar ta nënshkruaj pjesën e partneritetit.

“Veprimet Iliri nuk i ka bë në emër të biznesit. Veprimet Iliri i ka bërë në emër të vetin dhe të bashkëshortes së tij F. K.”, ka thënë ai.

“Unë jam tërhjek nga ky biznes por nuk kemi pasur kurrfarë aksioni, kurrfarë veprimtarie kurrfarë konto dhe kurrfarë numri fiskal. Puna për të cilën akuzohet është punë absolut që nuk ka lidhje me mu përveç që Iliri kur ka mashtruar njerëzit ju ka thanë unë e kam biznesin bashkë me Milaim Zekën për shkak të abuzimit dhe shfrytëzimit tim”, ka deklaruar Zeka.

Zeka e ka quajtur Krasniqin mashtrues dhe njeri tepër të ndyrë, ani se vetë e kishte prezantuar vetë në emisionin e tij si biznesmen të suksesshëm.

Por, dëshmitë e publikuar nga Insajderi dëshmonin të kundërtën. Ato tregonin bashkëveprimin e tyre në këtë biznes si dhe presionin që Zeka i kishte bërë Krasniqit për të mos ia përmendur emrin. /Insajderi.com

Lexoni edhe hulumtimet e tjera:

Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani

Skema e mashtrimit me viza – Milaim Zeka: Nuk nij për asnjë prokuror

Skema e mashtrimit me viza – Insajderi sjell bisedat mes Milaim Zekës e Ilir Krasniqit