I dyshuari pranon sulmin ndaj gazetares bullgare

I dyshuari pranon sulmin ndaj gazetares bullgare

Prokuroria gjermane ka publikuar se i dyshuari për vrasje të Viktoria Marinovas ka pranuar sulmin, por e ka mohuar përdhunimin dhe vrasjen.

Nga zyra e prokurorisë në qytezën Celle të premten kanë kumtuar se i dyshuari, i cili është identifikuar si Serverin Krasimirov 21 vjeç, ka thënë se nuk ka pasur qëllim ta vrasë gazetaren televizive Viktoria Marinova.

Prokuroria pretendon se i dyshuari ka pranuar se ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe drogave kur në një park kishte hyrë në debat me gruan të cilën nuk e ka njohur.

Ata shtojnë se ai ka thënë se e ka goditur gruan në fytyrë dhe e ka gjuajtur në shkurre, por ka mohuar se ka pasur për qëllim ta vrasë.

Ata theksojnë se Krasimirov, i cili ishte arrestuar të martën në Gjermani, në bazë të urdhër kërkimit evropian, mund të ekstradohet në Bullgari në afat prej dhjetë ditësh.

Gazetarja e kanalit televiziv bullgar TVN Viktoria Marinova është vrarë të shtunën me mbytje në vendin Ruse, në veri të vendit, ka publikuar të dielën prokuroria e Bullgarisë./Insajderi.com.