
Samiti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, filloi me disa minuta zhurmë të ashpër midis gazetarëve dhe forcave të sigurisë të SHBA-së dhe Rusisë.
Organizatorët në samitin e së mërkurës në Gjenevë hapën dhomën e takimit për gazetarët para se të fillojnë bisedimet, shkruan CNN, transmeton Insajderi.
Megjithatë, forcat dhe zyrtarët e sigurisë ruse dhe amerikane fillimisht bllokuan gazetarët, ndërsa ata u përpoqën të hynin në dhomë.
Skena më pas u shndërrua në disa minuta kaos brenda dhomës së takimeve.
Gazetarët amerikanë thanë se sigurimi dhe gazetarët rusë i kapën ata për krahëve e rrobave në përpjekje për t’i mbajtur prapa. Gazetarët amerikanë u munduan që ta hapnin rrugën për vete, ndërsa një reporter amerikan u rrëzua përtokë.
Para se të qetësohej skena, disa nga turma bërtitën se ishin duke u shtypur në përleshje.
Biden dhe Putin disa herë qeshën me trazirën./Insajderi.com