Asnjë infeksion i vetëm nuk është diagnostikuar zyrtarisht në vendin e Indonezisë që prej fillimit të shpërthimit të coronavirusit në dhjetor.
Edhe pse shteti i Indonezisë është afër me Kinën dhe pret mijëra udhëtarë çdo muaj, ky vend nuk është prekur nga virusi vdekjeprurës.
Vendet fqinje si Malajzia dhe Filipinet kanë konfirmuar se shumë persona janë infektuar në vendet e tyre.
Zyrtarët indonezian kanë testuar 104 persona, dhe është raportuar se edhe politikanët atje këmbëngulin se popullata është e mbrojtur nga lutjet, transmeton Telegrafi.
Më shumë se 75,000 njerëz janë konfirmuar të infektuar nga coronavirusi, pothuajse të gjithë brenda Kinës, ndërsa dhe 2,012 njerëz kanë vdekur deri më tani.
Indonezia është një nga vendet e fundit në Azinë Lindore që nuk ka virus, me Singaporin, Japoninë, Tajlandën, Korenë e Jugut, Tajvanin, Vietnamin, Hong Kongun dhe Kamboxhian, që kanë konfirmuar të gjitha rastet e prekura me coronavirus.
Ministri i shëndetësisë i Indonezisë, Terawan Agus Putranto, tha në një konferencë të fundit për shtyp se statusi pa sëmundje të vendit ishte ‘gjithçka për shkak të lutjes’.
Vendi, i cili ka një popullsi prej 267 milionë njerëz, është 87 për qind myslimanë, 10 për qind e krishterë dhe 2 për qind hindu.
Por shkencëtarët janë skeptikë në lidhje me pretendimin e infeksioneve zero, sepse pothuajse 100,000 njerëz fluturuan direkt në vend nga qyteti i Wuhan në nëntor dhe dhjetor, raporton Al Jazeera.
Zyrtarët indonezianë janë duke përdorur skanues termik në aeroporte për të kontrolluar njerëzit për shenja të etheve.