Interi mbetet “arrë e fortë” përkundër largimeve

Interi mbetet “arrë e fortë” përkundër largimeve

Antonio Conte u largua nga Interi me arsyetimin që drejtuesit e klubit nuk po i ofronin një projekt fitues dhe u mendua se Interi do të “zhvishej” nga epiteti i ekipt favorit për ta fituar Serie-n A.

Pas dorëheqjes së Conte-s, u largua edhe Achraf Hakimi në drejtim të PSG-së, ndërsa edhe golëshënuesi më i mirë i sezonës së fundit, Romelu Lukaku “iku” nga Italia për t’u rikthyer në Londër tek Chelsea, shkruan Shqip.com.

Por, përkundër këtyre largimeve, neurazurët arritën që pa shpenzuar shuma të mëdha parash të transferojnë disa futbollistë që veçse e kanë dëshmuar veten në futbollin italian.

Ardhja e veteranit, Edin Dzeko si zëvendësues i Lukakut u pa me shumë skepticizëm për shkak se shtatëgjati është 35 vjeçar, por e kaluara e tij me Romën është tregues që ai mund të sjellë shumë gëzime në “Giuseppe Meazza”.

Kaltërezinjët e kanë përforcuar edhe repartin e mesfushës ku kanë sjellur Hakan Çalhanoğlu që në këtë fillim kampionati ka pasur paraqitje solide.

Ekipi nga Milano, është përoforcuar gjithashtu edhe në krahun e djathtë të mbrotjes duke sjellë ish-kapitenin e PSV-së, Denzel Dumfries, kurse “goditja” e tyre e fundit ka qenë blerja e Joaquium Correa-s nga Lazio. Argjentinasi, menjëherë në ndeshjen e tij të parë me Interin realizoi dy gola, duke treguar që është duke kaluar nëpër një formë të lartë.

Në dy ndeshjet e para, kampionët në fuqi, kanë realizuar dy fitore dhe momentalisht nuk janë duke u vërejtur largimet nga skuadra.

Kështu, Interi po konsiderohet përsëri si njëra ndër skuadrat favorite për ta fituar Scudetton, por konkurencë të fortë do kenë me Lazion dhe Milanin, që kanë qenë gjithashtu shumë aktive në merkaton e verës.

Në anën tjetër, Juventuesi ka vetëm një pikë pas dy ndeshjeve dhe largimi i Cristiano Ronaldo-s ka zbehur shumë gjasat e tyre për titullin e Serie-s A. /Insajderi.com