Mjafton një ngritje e flamurit në mënyrë të gabuar nga gjyqtari anësor dhe vëmendja bartet te ai vendim, kurse ndeshja mbetet në plan të dytë.
“Peshën” e të qenurit refer anësor, Bekim Zogaj, tashmë e bartë mbi supe edhe në garën më të madhe të futbollit evropian – Ligën e Kampionëve.
Zogaj së fundmi ka referuar në ndeshjen Club Brugge-PSG, ku në fushën e gjelbër kishte futbollistë si Leo Messi, Neymar Jr dhe Kylian Mbappe.
Në një intervistë për Shqip.com, Zogaj ka përshkruar se cila është ndjenja e të bërit drejtësi në një ndeshje të këtij niveli.
Duke marrë parasysh që ndeshja ndaj Brugge, ishte e para për Leo Messin në Ligën e Kampionëve edhe vëmendja ishte shumë e madhe tek ai takim, tha fillimisht ai.
Zogaj e ka të ngulitur se rregullat janë të njëjta, si në një ndeshje me ekipe anonime, si në një tjetër ku futbollistët kulmorë ndeshen mes vete, porse është e pashmangshme që bashkë me flamurin e referit të mosbartësh edhe peshën e madhe të përgjegjësisë.
“Në ndeshjen Club Brugge-PSG jam ndjerë sikur në ndeshjet tjera në Ligën e Kampionëve, por natyrisht vëmendja e mediave ishte te treshja e madhe e futbollit botëror, Messi-Neymar dhe Mbappe. Synimi im është që të marr pjesë edhe në të ardhmen në ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Europaligës” shtoi Zogaj.
Bekimi, po ashtu tha se është ndjenjë e veçantë që të marrësh pjesë në Ligën e Kampionëve, anise për të nuk ishte befasi.
“Besoj qe ne si ekip me arbitrin kryesor, Sandro Schärer, kemi pas ndeshje të mira në vitet e kaluara dhe që tash po nominohem në ndeshjet e Champions Leagues. Është natyrisht një ndjenjë e veçantë të marr pjesë në garën më të rëndësishme në futbollin evropian. Natyrisht që ishte një ndjenjë shumë e mirë të jemi pjesë ne raundin e parë të këtij kompeticioni, por nuk ishte befasi për ne që referuam PSG-në”, tha ai.
Tutje, ai theksoi se jo vetëm ndeshjet e Ligës së Kampionëve janë të rëndësishme dhe me shumë “peshë” për të.
“Franca – Bosnja Hercegovina ka qenë ndeshje me peshë të madhe ku kam marrë pjesë, (ndeshje kualifikuese për Katari 2022), por më e forta ka qenë Olimpiakos Piräus – PAOK Saloniki ndeshje e zhvilluar në kampionatin Grek”, sqaroi arbitri kosovar.
Për fund, Zogaj tregoi edhe qëllimet e tij në karrierë, duke thënë se “ëndrra jonë (e grupit të tij referues) është që të marrim pjesë në kampionatin evropian 2024”. /Insajderi.com