Investimet nga diaspora rreth 800 milionë euro në vit

Investimet nga diaspora rreth 800 milionë euro në vit

Fuqia e diasporës nuk është vetëm remitenca. Kosova në baza vjetore konsiderohet se përmes rrugëve zyrtare arrijnë të thithë remitenca rreth 800 milionë euro në vit. Kjo, llogaritet të jetë edhe më e madhe si shifër.

Por, ky investim i diasporës, konsiderohet si para për mbijetesë, dhe jo e fokusuar në investim.

Duke parë përvojën time 25 vjeçare në diasporë, mund të them se në përgjithësi diaspora kosovare në ndërmarrësi mund të konsiderohet e re, pasi që shumica e firmave apo bizneseve e kanë një përvojë 10-15 vjeçare. Kjo të lë të kuptosh, se jo shumë kompani kanë kapacitetet e nevojshme për të lënë gjurmë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Prandaj është e rëndësishme që të gjenden edhe kanale të tjera pos investimeve direkete.

Në mundësinë e parë, rruga më e duhur do të ishte bashkimi i mjeteve, e që më pastaj të kalohet në investime strategjike.

Formati i parë përmes së cilës presim që të sjellim investime nga diaspora, do të ishte krijimi i një shoqërie aksionare, që fillimisht synim do të kishte krijimin e industrisë së ushqimit, në të cilën do të inkuadroheshin mbi 1 mijë biznese nga diaspora. Kujtojmë se edhe në raportin e Departamentin amerikan të shtetit thuhet se industria e ushqimit, konsiderohet industri në rritje në vendin tonë.

Përmes kësaj industrie ushqimore, do të krijohen kushte për punësimin e 10-15 mijë vendeve në bujqësi. Këto do të ishin kryesisht mundësi të reja për bujqit, por edhe mundësi të vetëpunësimit në këtë fushë. Me këtë, pos 10-15 mijë vendeve të punës, në vend do të krijohet edhe një industri ushqimore që do të ndikoj në ekonominë e vendit por edhe mirëqenjen e shumë familjeve kosovare. Në këtë drejtim, do të përdorë të gjithë kapacitetet dhe njohuritë, për të arritur një investim që do të sillte ndryshime të dukshme në hapje n e vendeve të punës. Gjithashtu, si ish udhëheqës i Unionit të Bizneseve në Gjermani në gjirin e së cilës janë afër 500 biznese, do të shfrytëzojmë ndikimin që kjo çështje të konkretizohet sa më parë.

Sigurisht që investimet nga diaspora kërkojnë edhe një treg të sigurt. Investimi që do të bënte diaspora, më shumë ndërlidhet me sigurinë se sa me synimin për të investuar.

Ofrimi i kushteve të favorshme për investitorët nga diaspora, si dhe për prodhuesit vendor do t’a shëndërronte diasporën edhe në konsumatorë të vazhdueshëm të produkteve të Kosovës. Ndërsa, mundësia e eksportit dhe shtrirjes së produkteve “Made in Kosova” sa më afër bashkëatdhetareve tanë, do të lehtësohej edhe me organizimin e forumeve ekonomike përmes së cilave do të lehtësohej bashkëpunimi mes kompanive të vendeve tjera me prodhuesit nga Kosova.

Kjo do të shtynte drejt shtimit të kapaciteteve prodhuese, por njëkohësisht edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Sipas raportit të DASH, patundshmëritë janë tërheqësit më të mëdhenj të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, të ndjekura nga shërbimet financiare dhe ndërtimet.

Me politika të duhura për investitorë, diaspora do të kontribuonte për:

•             Krijimin e vendeve të reja të punës,

•             Që investimet të mos jenë kryesisht në patundshmëri,

•             Në ngritjen e eksportit, qoftë përmes konsumit, por edhe eksportit të një industrie të fuqishme ushqimore që do të arrihej.

Diaspora jonë e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat e shtet-krijimit dhe shtet-ndërtimit, ndërsa edhe sot me potencialin ekonomik që ka, mund të jetë gjeneratori kryesor i zhvillimit ekonomik të Kosovës