Irani konfirmon pasurimin e uraniumit me 20 përqind

Irani konfirmon pasurimin e uraniumit me 20 përqind

Irani sot konfirmoi planin për të rritur pasurimin e uraniumit deri në 20 për qind, ndërsa është mobilizuar për të zbatuar një ligj të prezantuar së fundmi si kundërmasë ndaj sanksioneve të SHBA-së, transmeton Insajderi.

Në një intervistë me televizionin shtetëror, shefi i agjencisë bërthamore të Iranit, Ali Akbar Salehi, tha se Teherani i ka shkruar mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, IAEA, rreth planit të pasurimit, raporton Anadolu Agency (AA)

Ai tha se letra i është dërguar organizatës me qendër në Vjenë përmes të dërguarit iranian dhe vendi është i gatshëm të rrisë nivelin në 20 për qind në përputhje me legjislacionin e fundit “shumë shpejt”.

Salehi vuri në dukje se një miratim i fundit nga presidenti Hassan Rouhani kërkohet para se të zbatohet masa.

Shefi bërthamor tha se procesi do të zbatohet nën mbikëqyrjen e inspektorëve të IAEA-së, të cilët ai tha se duhet të “zhvulosin gjërat që janë vulosur”.

Të premten, IAEA tha se Irani kishte komunikuar synimin e tij për pasurim deri në 20 për qind, nivel i arritur para marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.

“Irani ka informuar Agjencinë se në mënyrë që të jetë në pajtueshmëri me një akt ligjor të miratuar së fundmi nga parlamenti i vendit, Organizata e Energjisë Atomike e Iranit synon të prodhojë uranium të pasuruar pak (LEU) deri në 20 për qind në Fabrikën e Pasurimit të Karburantit Fordow”, tha agjencia në një deklaratë.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Teherani u lejua të pasurojë uranium deri në 3,67 për qind. Megjithatë, pragu u shkel nga Irani në përgjigje të tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, duke rritur nivelin në 4,5 për qind.

Plani për të rritur nivelin nga 4,5 në 20 për qind, i cili konsiderohet “uranium shumë i pasuruar”, kishte qenë në proces për ca kohë, por shkas i fundit ishte vrasja e shkencëtarit të shquar iranian Mohsen Fakhrizadeh muajin e kaluar.

Pas incidentit që tërhoqi reagim të fortë nga Irani, parlamenti i vendit prezantoi një plan strategjik për të kundërshtuar sanksionet, i cili bëri thirrje për përshpejtimin e veprimtarive bërthamore dhe përfundimin e zbatimit vullnetar të Protokollit Shtesë.

Projektligji më në fund u shndërrua në ligj pasi organi më i lartë mbikëqyrës i vendit, Këshilli Gardian, dha miratimin e tij, pavarësisht rezistencës nga qeveria.

Zbatimi i planit pritet të shtojë më tej tensionet midis Iranit dhe Perëndimit në një kohë kur administrata në ardhje në Washington ka sinjalizuar kthimin e SHBA-së në marrëveshjen e vitit 2015.

Qeveria Rouhani thotë se është e gatshme të kthehet në përputhje të plotë të marrëveshjes, që do të thotë zvogëlim i pasurimit të uraniumit përsëri në 3,6 për qind, nëse SHBA-ja “pa kushte” kthehet në marrëveshje.

Megjithatë, qeveria iraniane mund të përballet me rezistencë nga parlamenti i dominuar nga konservatorët, të cilët kundërshtojnë fuqimisht idenë e negociatave të tjera me SHBA-në.

Komuniteti ndërkombëtar shpesh ka shprehur frikë se Irani synon të ndërtojë një bombë, për të cilën pasurimi i uraniumit duhet të arrijë në 90 për qind. Irani, megjithatë, ka mohuar që ka ndërmend të ndërtojë bombë.

Tensionet kanë qenë të larta midis Iranit dhe SHBA-së, veçanërisht në Gjirin Persik të paqëndrueshëm dhe Irak në javët e fundit, përpara përvjetorit të parë të vrasjes së komandantit të lartë iranian Qasem Soleimani. /Insajderi.com