Irani kundërshton vendimin amerikan për Gardën Revolucionare

Udhëheqësit iranianë kanë kundërshtuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për të shpallur Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.

Irani kundërshton vendimin amerikan për Gardën Revolucionare

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani tha se vendimi i Uashingtonit është “një gabim”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë “udhëheqës të terrorizmit global”.

Presidenti Rohani pretendon se SHBA-ja dëshiron të “përdorë grupe terroriste kundër vendeve të rajonit”.

Deklaratat e Rohanit bëhen disa ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi për vendimin që Grada Revolucionare e Iranit të shpallet organizatë terroriste.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vënë në “listë të zezë” dhjetra individë dhe kompani iraniane për lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit.

Përmes një deklarate, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Uashingtoni do të vazhdojë të rrisë presionin financiar ndaj Iranit për shkak të “mbështetjes që i bën ky vend aktiviteteve terroriste”.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë regjimin e Iranit edhe për shkelje të rezolutës së OKB-së për armët bërthamore si dhe për mbështetjen që i bën organizatave terroriste në rajon.

Së fundi, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë shprehur shqetësime ndaj aktivitetit të fundit raketor të Iranit.

Të trija vendet evropiane thonë se ky aktivitet është pjesë e zhvillimit të kapaciteteve raketore për të mbajtur armë bërthamore.

Ambasadorët e tre shteteve, që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit, në një letër dërguar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, thanë se lëshimi i fundit i raketave balistike nga ana e Iranit ka efekt destabilizues në Lindjen e Mesme dhe ngritë tensionet në rajon.