Irani nuk do konflikt me Britaninë e Madhe

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka thënë se Irani nuk është duke kërkuar konflikt me Britaninë, në kohën e ngritjes së tensioneve për shkak të kapjes së dy anijeve britanike nga forcat iraniane.

Irani nuk do konflikt me Britaninë e Madhe

“Është shumë e rëndësishme që Boris Johnson, teksa merr pozitën e kryeministrit britanik, të kuptojë se Irani nuk kërkon përballje dhe se Irani kërkon marrëdhënie normale të bazuara në respekt reciprok”, është cituar të ketë thënë Zarif sipas agjencisë së lajmeve, AFP.

Ai i është referuar kandidatit të Partisë Konservatore për kryeministër, që ka mundësi të zëvendësojë Theresa May-n, në krye të qeverisë.

Një ditë më parë May ka udhëhequr një takim urgjent të sigurisë, për të diskutuar se si duhet përgjigjur Britania pasi Irani ka konfiskuar një anije me flamur britanik në Ngushticën e Hormuzit tri ditë më parë.

Takimi i ministrave të sigurisë dhe zyrtarëve tjerë është fokusuar rreth sigurimit të transporteve të naftës në këtë rajon, teksa janë përkeqësuar marrëdhëniet në mes të Perëndimit dhe Iranit.