Irani thotë se bisedimet fillestare bërthamore me Fuqitë Botërore ishin ‘konstruktive’

Irani thotë se bisedimet fillestare bërthamore me Fuqitë Botërore ishin ‘konstruktive’

Irani dhe Fuqitë e Mëdha Botërore ende palë në një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 janë takuar për bisedime në Vjenë, Austri ndërsa intensifikohen përpjekjet për t’i kthyer Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen historike, transmeton Insajderi.

Bisedimet u mbajtën në hotelet Imperial dhe Grand të qytetit midis përfaqësuesve të Iranit, Kinës, Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, raporton Al Jazeera.

Vendet do të vazhdojnë të diskutojnë mënyrat për të ringjallur Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) që ish-Presidenti i SHBA Donald Trump braktisi në mënyrë të njëanshme në maj 2018, tha zëvendës ministri i Jashtëm i Iranit të martën për televizionin shtetëror pas takimit.

“Bisedimet në Vjenë ishin konstruktive, ndërsa takimi ynë i ardhshëm do të jetë të premten”, i tha Press TV Abas Araghchi, i cili po udhëheq delegacionin iranian në Vjenë.

“Ne vazhdojmë të refuzojmë çdo marrëveshje në lidhje me lirimin e një miliardë dollarëve të parave iraniane [të ngrira në Korenë e Jugut] në këmbim të ndalimit të pasurimit të uraniumit prej 20 përqind”, tha ai duke iu referuar një oferte që SHBA thuhet se i dha Iranit pak para se të fillonin bisedimet e Vjenës.

Delegati i Rusisë Mihkail Ulyanov tha në Twitter se takimi ishte “i suksesshëm”.

“Rivendosja e JCPOA nuk do të ndodhë menjëherë. Do të duhet pak kohë. Sa gjatë? Askush nuk e di”, shkroi ai. “Gjëja më e rëndësishme pas takimit të sotëm të Komisionit të Përbashkët është që puna praktike drejt arritjes së këtij qëllimi ka filluar”. /Insajderi.com