Ish-futbollisti i Barcelonës zbulon se ka origjinë shqiptare

Ish-futbollisti i Barcelonës, i cili aktualisht aktivizohet me skuadrën e Metzit në Francë, Ivan Balliu ka zbuluar në një intervistë me Transfermarkt.de, se ka rrënjë shqiptare dhe se dëshiron të luajë me kombëtaren e Shqipërisë.

Ish-futbollisti i Barcelonës zbulon se ka origjinë shqiptare

I lindur në Girona të Katalunisë në shtetin e Spanjës, Ivan Balliu ka filluar të luajë me Barcelonën që në moshën 13-vjeçare. Në sezonin 2010-2011, Balliu debutoi me skuadrën e Barcelonës B në ligën e dytë të futbollit spanjoll.

Ai asnjëherë më parë nuk është shprehur rreth origjinës së tij shqiptare, mirëpo në një intervistë të dhënë faqes së njohur Transfermarkt, Balliu përveç se thotë se paraardhësit e tij janë shqiptar, shpreh edhe dëshirën që të luajë me kombëtaren e udhëhequr nga Gianni De Biasi.

“Nuk kam edhe shumë informacione rreth paraardhësve të mijë. E di vetëm se ata janë nga Shqipëria”, thotë Balliu, raporton Insajderi.

ballu

I pyetur nga Transfermarkt se a dëshiron ai të përfaqësojë kombëtaren shqiptare të futbollit në të ardhmen, Balliu shprehet i gatshëm të vihet nën urdhrat e Gianni De Biasit.

“Po, menaxheri im është duke qëndruar në kontakt me Federatën Shqiptare të Futbollit. Unë mendoj se kam kualitetet e duhura për të luajtur me Shqipërinë”, thotë Balliu.

Balliu, i cili luan si mbrojtës i djathtë, thotë se e ka ëndërr të luajë me kombëtaren shqiptare.

“Ëndrra ime është të luajë me Shqipërinë, dhe unë besoj se kam cilësitë e duhura për ta bërë këtë”, ka thënë ish-mbrojtësi i Barcelonës.

Mbrojtësi 24-vjeçar tregoi se ka shikuar ndeshjen e Shqipërisë ndaj Spanjës dhe e ka parë se në kombëtaren kuqezi ka shumë potencial. Ai tha se i pëlqen loja kundërsulmuese e Shqipërisë. /Insajderi.com