Ish-mesfushori i PSG’së dhe Juventusit i bindur se Franca do të fitojë në ‘EURO 2020’

Ish-mesfushori i PSG’së dhe Juventusit i bindur se Franca do të fitojë në ‘EURO 2020’

Ish-mesfushori i Paris Saint Germain dhe Juventusit, Blaise Matuidi, është shprehur i bindur se kombëtarja e Francës do ta fitojë Kampionatin Evropian “EURO 2020”.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, ai ka thënë se Franca ka skuadër të kompletuar dhe një selektor të aftë për ta drejtuar drejt suksesit.

“Kam luajtur për ekipin e Francës për dhjetë vjet dhe natyrisht që jam prej mbështetësve më të mëdhenj të tyre. Unë jam ende në kontakt me disa lojtarë dhe pres ta fitojnë Evropianin. Por, është e vështirë ta fitosh një turne si ky. Ata kanë një ekip shumë të mirë, të talentuar, por siç e dimë të gjithë ndonjëherë nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të luftojmë, duhet të luftojmë fort. Unë e di që trajneri Didier Deschamps, është i mirë për këtë dhe do të jetë konkurrues. Ndeshje pas ndeshje ata do të jenë të suksesshëm. I kam shikuar të gjitha ndeshjet e tyre dhe pres ta fitojnë Evropianin”, ka thënë Matuidi gjatë adresimit të tij për media.

Pjestari i klubit Inter Miami ka luajtur për Francën nga viti 2010 deri në vitin 2019. Me Francën Matuidi ka fituar Kupën e Botës në vitin 2018. /Insajderi.com