Ish-ndihmës-trajneri i LA Clippers që mori sot drejtimin e Kosovës

Ish-ndihmës-trajneri i LA Clippers që mori sot drejtimin e Kosovës

Trajneri amerikan Brad Greenberg është zyrtarizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) si trajner i ri i përfaqësueses së basketbollit.

I lindur në vitin 1954, Greenberg është momentalisht trajner i skuadrës nga Superliga e Basketbollit të Turqisë, derisa më parë ka qenë ndihmëstrajner i dy skuadrave të NBA: Los Angeles Clippers dhe New York Knicks.

Në sezonin 2012-2013 Greenberg ka qenë trajner i skuadrës së njohur izraelite, Maccabi Haifa, me të cilën është shpallur kampione e Superligës së Izraelit në Basketboll.

Në vitin 2012, trajneri që u zyrtarizua sot në krye të shtabit teknik të Kosovës, ka qenë ndihmëstrajner i kombëtares së Venezuelës.

Kosova është pa trajner prej muajit tetor të vitit të shkuar, kur Arben Krasniqit i skadoi kontrata me FBK-në. Krasniqi e udhëhoqi Kosovën në eliminatoret e “Eurobasket 2017”. Në këto eliminatore Kosova përfundoi e fundit në grup pa asnjë fitore. Pësoi humbje të dyfishta nga Sllovenia, Ukraina dhe Bullgaria.

Greenberg do të ketë marrëveshje me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për ndeshjet parakualifikuese për botërorin “Kina 2019”, që zhvillohen në muajin gusht. /Insajderi.com