Ish-presidenti Evo Morales kthehet në Bolivi

Ish-presidenti Evo Morales kthehet në Bolivi

Ish-presidenti i Bolivisë, Evo Morales, ka bërë të ditur se ai do të kthehet në vend më 11 nëntor, tri ditë pasi Luis Arce dhe David Choquehuanca betohen si president dhe zv/president të vendit, transmeton Insajderi.

Morales ka jetuar në ekzil në Argjentinë që kur dha dorëheqje në muajin nëntor të vitit të kaluar mes protestave mbi akuzat për manipulim të votave në zgjedhjet presidenciale. Një qeveri e përkohshme e udhëhequr nga senatorja e krahut të djathtë, Jeanine Anez, mori pushtetin, raporton BBC.

Ish-presidenti në disa raste ka shprehur vullnetin e tij për t’u kthyer në Bolivi nëse Arce, kandidati i partisë së tij i Lëvizjes për Socializmin (MAS), fiton zgjedhjet e përgjithshme, gjë që u bë duke grumbulluar 55 për qind të votave ndaj kandidatit opozitar, Carlos Mesa, i cili grumbulloi 28% të votave.

Të hënën, një gjykatës në Bolivi anuloi urdhër-arrestin që ishte lëshuar vitin e kaluar kundër ish-presidentit Morales për pretendimin e kryengritjes dhe terrorizmit, duke i hapur rrugën kthimit të tij.

Arce, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të 18 tetorit me një diferencë të madhe do të japë betimin më tetë nëntor.

Në një intervistë televizive, senatori Andronico Rodriguez i partisë MAS tha se do të mbahet një mobilizim masiv për pritjen e “liderit historik” për të festuar kthimin e tij.

Megjithatë, Morales ka thënë se ai nuk do të ketë një rol të spikatur në qeverinë e udhëhequr nga Arce. /Insajderi.com