Ish presidenti në burg për shkak të korrupsionit

Ish presidenti në burg për shkak të korrupsionit

Ish presidenti i Brazlit Luiz Inacio Lula da Silva, filloi ta vuaj burgimin si president i parë brazilian në histori moderne të këtij shteti i cili është arrestuar.

Da Silva është dënuar në 12 vjet burgim për shkak të korrupsionit, por që kushtet në të cilat filloi ta vuaj burgimin nuk janë aq të këqija.

Qelia e tij e burgut është prej 48 metrave katrorë, gjendet në katin e katërt të ndërtesë së Policisë Federale në Kuritab e cila më herët kryesisht ka qenë i dedikuar për fjetje të policëve të cilët vinin nga qytetet tjera, transmeton AP.

Një televizion lokal brazilian ka transmetuar se qelia e ish presidentit ka grila në anën e jashtme të dritares, por nuk ka në derë, aty gjendet një shtrat për një person, një tavolinë e vogël dhe banjë personale me ujë të ngrohtë.

Da Silva është i ndarë nga të burgosurit tjerë, të cilët janë të vendosur në katin e dytë, transmeton Insajderi.com.

Gjatë qëndrimit, ai do të jetë nën video kontroll 24 orë dhe do të ketë të drejtë t’i kalojë dy orë në vend të hapur, ushqimin do ta merr në enë plastike dhe do të ketë të drejtë për vizitë të mërkurave.

Sikur gjykatësi Sergio Moro të mos kishte urdhëruar që Da Silva të jetë në dhomë të posaçme, ai do të ishte transportuar në kompleksin e burgut Medico Penal de Pinjais, ku gjenden në vuajtje të burgut disa anëtarë të qeverisë së Da Silvas.

Gjatë natës rreth 5.000 përkrahës të tij e kanë kaluar natën para burgut pasi ai ishte dorëzuar, ndërsa policia ishte e detyruar të përdorë plumba gome dhe gaz lotsjellës në mënyrë t’i shpërndajë ata.

Partia Punëtore e Da Silvas ka kumtuar se me këtë rast janë lënduar tetë persona, prej të cilëve njëri është hospitalizuar, por se lëndimet nuk janë të rënda.

Koordinatori lokal i kësaj partie ka deklaruar se pritet arritja e përkrahësve nga jugu i Brazilit dhe se edhe ata do të qëndrojnë para burgut derisa Lula nuk lirohet.

Nga ana tjetër, në disa shtëpi në afërsi të burgut janë vendosur flamujt e Brazilit, të cilët janë bërë simbol i atyre të cilët dëshirojnë që ish presidenti të mbetet në burg./Insajderi.com.