Ish shefi i FBI-së zbulon çfarë i kishte thënë Trump për prostitutat ruse

Ish shefi i FBI-së zbulon çfarë i kishte thënë Trump për prostitutat ruse

Ish drejtori i FBI-së James Comey e ka përshkruar presidentin amerikan Donald Trump si gënjeshtar të lindur dhe lider amoral në librin e tij i cili duhet të dalë në shitje javën e ardhshme, tregojnë fragmentet të cilat i kanë publikuar mediet amerikane të premten.

Comey e paraqet karakterin e presidentit për të cilin thotë se është dikush që “nuk e preferon të vërtetën”.

Trumpin e “lëvizë egoja” dhe “ai kërkon lojalitet personal”, thotë Comey.

Libri “Lojaliteti i lartë: e vërteta, gënjeshtra dhe udhëheqja” duhet të dalë në shitje të martën.

Kjo është një pasqyrë e gjerë e takimeve të Comeyit me Trumpin prejse vitin e kaluar ai ka dëshmuar në Kongres.

Në mes tjerash Comey shkruan se Trump e ka shfrytëzuar takimin me të për të përgënjeshtruar pretendimet se ka përdorur shërbimet e prostitutave në Moskë në vitin 2013, transmeton Insajderi.com.

Akuzat, duke përfshirë edhe atë se rusët i kanë xhiruar shoqërimet e Trumpit me prostituta, i ka paraqitë spiuni britanik Christopher Steele, por ato kurrë nuk janë konfirmuar.

Libri i Comeyit sjellë për herë të parë informacionin se Trump ka debatuar për këto akuza.

Sipas ish shefit FBI-së, presidenti “i ka mohuar ashpër akuzat, duke pyetur, supozoj në mënyrë retorike, se a dukem si një mashkull të cilit i nevojiten prostitutat”.

Trump e shkarkoi Comeyin në maj të vitit 2017 gjë që solli deri te hapja e hetimit të posaçëm të ministrisë së drejtësisë mbi përzierjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016./Insajderi.com.