Ishte gati të luante për Shqipërinë, por Avdijaj zgjedh Kosovën

Ishte gati të luante për Shqipërinë, por Avdijaj zgjedh Kosovën

Vazhdon “lufta” mes Shqipërisë dhe Kosovës për talentet në Europë dhe duket se për momentin, ajo që fiton është Kosova. Pasi ka siguruar nga radhët e Shqipërisë emra të perspektives si Rrahmani, Rashica e Vojvoda, përfaqësuesja e Kosovës ka marrë një tjetër “po” të rëndësishëm gjatë ditës së sotme.

Bëhet fjalë për Dionis Avdijan, i cili sipas “SuperSport Kosovës” ka zgjedhur t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës edhe pse gjatë vitit të fundit kishte deklaruar hapur se ishte gati të luante për Shqipërinë dhe ishte në pritje të një ftese nga kuqezinjtë. Avdijaj ka qenë disa herë në planet e De Biazit në të kaluarën, por dëmtimet e kanë lënë atë larg kuqezinjve.

Megjithatë duket se talenti ka bërë zgjedhjen e tij për t’iu iu bashkuar grupit të Bunjakit dhe për të përforcuar këtë zgjedhje, ai do t’i bashkohet ekipit në Antalia, ku gjendet e grumbulluar përfaqësuesja kosovare para ndeshjes së eliminatoreve të Botërorit 2018.

Avdijaj nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Bunjaki për ndeshjen e të shtunës, pasi ka probleme me dokumentacionin meqë në të kaluarën ka luajtur me përfaqësueset e moshave të Gjermanisë, por pritet që nga viti i ardhshëm të veshë rregullisht fanellën e kësaj përfaqësueseje.

Avdijaj fitoi famë në momentin kur skuadra e Shalkes, pjesë e të cilës është, i vendosi një klauzolë prej 49 milionë eurosh në kontratë, për të mos e lejuar që të largohej drejt ndonjë klubi tjetër.