Italia ndalon përdorimin e vaksinës AstraZeneca shkaku i ‘rasteve të rënda anësore’

Italia ndalon përdorimin e vaksinës AstraZeneca shkaku i ‘rasteve të rënda anësore’

Agjencia Italiane e Barnave (AIFA) ka ndaluar në të gjithë vendin përdorimin e një serie të vaksinës AstraZeneca kundër Coronavirusit të ri (COVID-19) për shkak të “rasteve të rënda anësore” pas injektimit të vaksinës, transmeton Insajderi.

AIFA njoftoi se ndalimi kap grupin ABV2856, duke theksuar se ajo mund të marrë në konsideratë masa shtesë, nëse është e nevojshme, në koordinim me Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA), raporton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, agjencia italiane theksoi se aktualisht nuk ka asnjë lidhje të provuar midis injektimit të vaksinës dhe reaksioneve anësore.

Vaksina e koronavirusit AstraZeneca përdoret për të parandaluar infeksionin COVID-19 tek personat e moshës mbi 18-vjeçare. Ajo është krijuar për të përgatitur sistemin imunitar për të identifikuar dhe për të luftuar Coronavirusin SARS-CoV-2 që shkakton COVID-19.

Teknologjia vektoriale virale e përdorur për këtë vaksinë tashmë është testuar me sukses dhe është përdorur në parandalimin e sëmundjeve të tjera në disa vende.

AIFA tani po bën të gjitha kontrollet e nevojshme dhe po merr të gjitha dokumentet e nevojshme, së bashku me hetuesit dhe autoritetet kompetente, ndërkohë mostrat e grupeve të ndaluara do të analizohen nga Instituti Superior i Shëndetit në Itali.

Italia po lufton për të ecur përpara me planin e saj masiv të vaksinimit, pasi disa nga prodhuesit e vaksinave kanë njoftuar vonesa në furnizimet e tyre. /Insajderi.com