Italia raporton 553 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Italia raporton 553 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Numri i viktimave nga koronavirusi në Itali ka tejkaluar shifrën 70 mijë, pasi 553 viktima të tjera u raportuan brenda 24 orëve të fundit, transmeton Insajderi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vendi regjistroi 14.522 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në mbi 1.98 milionë.

Italia, e cila ishte epiqendra e pandemisë evropiane, po përpiqet të luftojë një shpërthim të dytë, që është më vdekjeprurës se ai i pari, raporton Anadolu Agency (AA).

Italia po ashtu ka raportuar dy raste të llojit të ri të koronavirusit, i cili së pari u zbulua në Mbretërinë e Bashkuar. Pacienti i parë së fundmi kishte ardhur nga Britania e Madhe, por pacienti i dytë nuk ka pasur asnjë kontakt me këtë vend.

Të dielën, Italia u bashkua me vendet e tjera evropiane në ndalimin e fluturimeve nga dhe drejt Britanisë së Madhe deri më gjashtë janar, për shkak të shqetësimeve për llojin e ri më infektues të koronavirusit që shkaktoi një bllokim të ri në Londër.

Qeveria italiane po ashtu ka vendosur kufizime të rrepta gjatë festave të Krishtlindjeve, respektivisht duke kufizuar lëvizjet publike dhe grumbullimet masive që mund të përhapin virusin në të gjithë vendin, me çka mund të shkaktohet një valë e tretë në fillim të vitit të ardhshëm.

Italianët që kthehen nga udhëtimet jashtë vendit nga 21 dhjetori deri më gjashtë janar janë të detyruar të qëndrojnë në karantinë dy-javore. /Insajderi.com