Italia vazhdon masat kundër pandemisë së COVID-19 deri në fund të prillit

Italia vazhdon masat kundër pandemisë së COVID-19 deri në fund të prillit

Qeveria e Italisë e drejtuar nga Mario Draghi deri më 30 prill ka vazhduar masat e vendosura me qëllim të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Insajderi.

Këshilli i Ministrave diskutoi masat aktuale të rrepta, të cilat janë të vlefshme deri më 6 prill, raporton Anadolu Agency (AA).

Me dekret të qeverisë në fuqi ende është ora policore prej orës 22:00 deri në 05:00. Në zonat që janë në zonat “e kuqe” dhe “portokalli”, vendet si baret, kafenetë dhe restorantet do të vazhdojnë të funksionojnë mbi bazën e “vini-merrni” deri në orën 18:00, ndërsa nga ora 18:00 deri në 22:00 do të kenë dorëzim.

Udhëtimi ndërajonal është ende i ndaluar, përveç në raste emergjente. Palestrat, pishinat, kinematë, teatrot dhe muzetë nuk pritet të hapen deri më 30 prill.

Ndonëse shkollat ​​fillore deri më tani kanë mbajtur mësim online në rajonet e shpallura zona “të kuqe”, është vendosur që filloristët të kthehen në shkollë.

Administratat rajonale nuk do të jenë në gjendje të marrin vendim për mbylljen e shkollave, ndryshe nga periudha e mëparshme.

Dekreti detyron vaksinimin e punonjësve shëndetësorë të cilët punojnë në spitale, farmaci, klinika, klinika private dhe shtëpitë e të moshuarve.

Punonjësit e shëndetësisë që refuzojnë vaksinimin do të sanksionohen. Ata do të pezullohen përkohësisht në përputhje me rrjedhën e pandemisë.

Nëse ka një zvogëlim të numrit të të infektuarve dhe rritje të numrit të vaksinuarve, qeveria do të rishikojë masat në mes të prillit, ku nëse numri i të infektuarve zvogëlohet, mund të lehtësojë masat ekzistuese në disa rajone para fundit të këtij muaji. /Insajderi.com