Izrael fillon sulme ajrore në Gaza pas lëshimit të balonave të zjarrit

Izrael fillon sulme ajrore në Gaza pas lëshimit të balonave të zjarrit

Izraeli ka filluar sulmet ajrore në Rripin e Gazës në shenjë hakmarrje ndaj disa grupeve palestineze që hodhën balona ndezëse drejt Izraelit jugor, transmeton Insajderi.

Shpërthimet në Gaza u dëgjuan në orët e para të së mërkurës, ndërsa ishin shpërthimet e para që nga bombardimet 11-ditore të Izraelit në Gaza në maj dhe vijnë pas një marshi në Jerusalemin Lindor nga nacionalistët hebrenj.

Sipas shërbimit izraelit të zjarrit, disa tullumbace u dërguan nga Gaza në Izrael të martën, duke shkaktuar zjarre të shumta në fusha të hapura në disa komunitete pranë kufirit.

Ushtria izraelite tha se avionët e saj sulmuan caqet e Hamasit në Gaza dhe në qytetin jugor Khan Younis dhe tha ishte gati për të gjithë “skenarët e mundshëm, përfshirë rifillimin e luftimeve përballë akteve të vazhdueshme terroriste që vijnë nga Gaza”.

Një zëdhënës i Hamasit, duke konfirmuar sulmet izraelite, i tha agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se palestinezët do të vazhdojnë “rezistencën e tyre të guximshme dhe të mbrojnë të drejtat e tyre dhe vendet e shenjta në Jerusalem”.

Ende nuk dihet nëse ka viktima në Gaza nga bombardimet. /Insajderi.com