Izraeli shpreson që të ndaloi një përpjekje nga ana e autoriteteve palestineze për t'u bashkuar me Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale - Interpol, në Asamblesë e Përgjithshme të organizatës që mbahet javën e ardhshme.
Diplomatët izraelitë kanë lobuar prej muajsh kundër anëtarësimit të Palestinës në Interpol.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iraelit, Emanuel Nahson tha për gazetën The Jerusalem Post se Izraeli do të vazhdojë të bllokojë përpjekjet palestineze për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.
“Palestinezët vazhdojnë me strategjinë e tyre shumëpalëshe, ata kërkojnë njohjen e shtetit të tyre përmes organizatave ndërkombëtare në vend të bisedimeve të drejtpërdrejta me Izraelin. Kjo është diçka që Izraeli nuk mund ta kuptojë,” tha ai.
Sipas The Jerusalem Post, Turqia po mbështet kërkesën palestineze për t’u inkuadruar në Interpol.
Izraeli, në anën tjetër, është duke u përpjekur që të bindë Rusinë për të votuar kundër anëtarësimit të Palestinës, derisa Kosova, një tjetër shtet që nuk njihet nga Rusia po kërkon të futet në Interpol. Rusia nuk e njeh Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Njëqind e nëntëdhjetë vende anëtare të Interpolit do të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Bali të Indonezisë nga shtatë deri më dhjetë nëntor. /Insajderi.com