Izraeli ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qytetin qendror të Lod-it pas trazirave, derisa konflikti midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë u intensifikua.
Militantët palestinezë lëshuan qindra raketa drejt Izraelit, ndërsa ky i fundit kreu sulme të mëdha ajrore në Gaza.
Të paktën 40 njerëz kanë vdekur nga këto trazira, raporton BBC, transmeton Insajderi.
Ushtria e Izraelit thotë se po synon militantët në Gaza në përgjigje të sulmeve me raketa në Jerusalem dhe zona të tjera.
Më shumë se një mijë raketa janë lëshuar drejt Izraelit qendror dhe jugor nga militantët palestinezë që nga e hëna në mbrëmje, kur luftimet u përshkallëzuan papritmas, tha ushtria izraelite.
Militantët palestinezë thanë se shënjestruan qytetin izraelit të Tel Aviv pasi një sulm ajror izraelit shkatërroi të martën një bllok ndërtimor në Rripin e Gazës.
Luftimet erdhën pas disa javësh tensionesh në rritje që u nxitën nga konfrontimet e dhunshme midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, që është i shenjtë si për myslimanët ashtu edhe për hebrenjtë.
Komuniteti ndërkombëtar u ka kërkuar të dy palëve t’i japin fund përshkallëzimit. I dërguari i paqes i OKB-së për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, tha se ata po përshkallëzohen drejt një lufte në shkallë të plotë.
Të paktën 35 palestinezë, përfshirë 10 fëmijë dhe pesë izraelitë janë vrarë sipas Ministrisë së Shëndetësisë./Insajderi.com