
Autoritetet në Kirgizi thonë se forcat e sigurisë i kanë vrarë dy militantë të dyshuar gjatë të shtënave në rajonin verior, Çui.
Komiteti Shtetëror për Siguri Kombëtare (UKMK) tha se shkëmbimi i të shtënave ka ndodhur sot në qarkun Xhail.
Sipas UKMK-së, forcat e sigurisë kanë hapur zjarr, pasi tre pjesëtarë të dyshuar të një grupi terrorist, që ishin të rrethuar në një shtëpi, kishin refuzuar të dorëzohen.
U tha se dy të dyshuar ishin vrarë, ndërsa i treti ishte plagosur dhe ishte zënë. Deklaratat e këtij komiteti është pothuajse e pamundshme të verifikohen në mënyrë të pavarur.
UKMK tha se nuk ka pasur viktima në mesin e forcave të sigurisë. Asnjëri prej militantëve të dyshuar nuk është identifikuar me emër.
Autoritetet e Kirgizisë kishin filluar kërkimin për të dyshuarit më 24 gusht, pasi dy persona i ishin kërcënuar patrullës së policisë me armë dhe me një granatë në kryeqytetin Bishkek.