Januzaj e konsideron ende veten futbollist të Belgjikës

Januzaj e konsideron ende veten futbollist të Belgjikës

Raportimet e medieve kosovare se futbollisti i Manchester United, i huazuar tek Sunderland, Adnan Januzaj ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën, ishin demantuar nga kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri dhe trajneri i përfaqësueses Albert Bunjaki.

21-vjeçari me origjinë nga Istogu i Kosovës nuk ka folur apo komentuar ende rreth mundësisë që ai të pranojë një ftesë të përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet e para zyrtare të saj në kualifikimet e botërorit “Rusi 2018”, të cilat fillojnë pas rreth dy javësh, më 7 shtator me ndeshjen e parë ndaj Finlandës.

Ndërkaq, Vokrri i ka bërë ftesë publike Januzajt. Në një intervistë me transmetuesin publik ai kishte konfirmuar ftesën e Kosovës për talentin e United-it, duke thënë se “ai e ka derën e hapur tek ne”.

Tifozët kosovarë e konsiderojnë mesfushorin me pasaportë belge si afrimin e parë të mundshëm në përfaqësuese, pasi Januzaj momentalisht konsiderohet  “i përjashtuar” nga kombëtarja belge, krahasuar me yjet e tjerë kosovarë që luajnë me përfaqësuese të njohura – ata të Zvicrës, të Norvegjisë dhe Përparim Hetemaj i Finlandës – të cilët kanë vend të rëndësishëm në përfaqësueset e tyre.

Në anën tjetër, Januzaj nuk duket se e sheh si mundësi tërheqëse përfaqësimin e Kosovës në të ardhmën. Futbollisti, edhe pse nuk është ftuar nga kombëtarja belge prej më shumë se një viti, me trajnerin belg Marc Wilmots që kishte deklaruar se kosovari nuk ka vend momentalisht në përfaqësuese “për shkak të konkurrencës”, ai mban ende shpresa për një rikthim në kombëtaren e të kuqve.

Madje, futbollisti i rritur në Bruksel ende e konsideron vetën si anëtar të kombëtares së “Djajve të Kuq” të Belgjikës. Në profilin e tij të rrjetit social Twitter, Januzaj e paraqet veten si anëtar të përfaqësueses belge.

ada

“Twitteri zyrtar i Adnan Januzajt. Futbollist i Manchester United dhe Përfaqësueses belge. I huazuar tek Sunderland”, shkruan Januzaj në biografinë e tij në Twitter, të cilën për herë të fundit e kishte rifreskuar para një jave, kur e kompletoi transferimin tek Sunderland, raporton Insajderi.

Januzaj ka edhe pak ditë kohë për të vendosur, pasi trajneri Bunjaki ka thënë se futbollistët që luajnë me përfaqësuese tjera duhet të vendosin brenda këtij muaji gusht. Ai pritet të shpallë listën e plotë të futbollistëve të ftuar për ndeshjen me Finlandën pikërisht në fundin e këtij muaji.

Futbollisti që kishte refuzuar kombëtaren shqiptare në vitin 2014, ka luajtur vetëm 6 ndeshje me Belgjikën, përfaqësuese në të cilën ka shumë konkurencë, sidomos në fazën ofanzive, në të cilën belgët kanë futbollistë cilësor si: Hazard, De Bruyne, Mertens apo Ferreira-Carrasco.

uni

Januzaj është huazuar nga Manchester United tek skuadra e më pak e njohur angleze Sunderland, me të cilën ka zhvilluar dy ndeshje në dy xhirot e para të Premier Ligës. Sunderland ka humbur të dyja takimet e para ndaj Manchester Cityt dhe Middlesbrough, të dyja me rezultat të njëjtë 2-1. /Insajderi.com