Japonia njoftoi se vaksinimi nuk është kusht për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në korrik-shtator të këtij viti, të cilat u shtynë vitin e kaluar për shkak të pandemisë së Coronavirusit, njofton Insajderi.
“Ne jemi duke shqyrtuar masat gjithëpërfshirëse për të mbajtur lojëra të sigurta, madje edhe pa i bërë vaksinat kusht”, tha në një konferencë për media Katsunobu Kato, Sekretari Kryesor i Kabinetit të qeverisë japoneze.
Japonia ishte caktuar si vend organizator i Olimpiadës së vitit të kaluar, por lojërat më të mëdha në botë u shtynë për shkak të pandemisë së COVID-19.
Qeveria e Kryeministrit Yoshihide Suga është e vendosur të vazhdojë me Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike këtë vit që do të mbahen nga fundi i korrikut deri në fillim të shtatorit.
Sipas një sondazhi të kryer nga “Kyodo News”, thuhet se të paktën 80 për qind e të anketuarve sërish kërkonin shtyrjen e lojërave.
Javën e kaluar, kreu i komitetit organizues të Lojërave Olimpike të Tokios tha se është “absolutisht e pamundur” të shtyhet Lojërat Olimpike Verore të këtij viti edhe përkundër koronavirusit të ri.
“Të pasurit edhe një ndjenjë të vogël të pasigurisë ndikon në gjithçka. E tëra që mund të them është se ne do të ecim përpara me përgatitjet tona”, tha Yoshiro Mori.
Lojërat Olimpike të Tokios është vlerësuar të kushtojnë deri në 15,8 miliardë dollarë. /Insajderi.com