Njëri nga lojtarët më të mirë në sezonin e kaluar në Ipko Super ligën e Kosovës në futboll, Jetmir Topalli, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, duke nënshkruar kontratë me klubin e njohur në Turqi, Malayaspor.
Gazeta Online Insajderi.com, ka kontaktuar Topallin, i cili gjendet në Turqi, por që nuk ka hezitur të përgjigjet në pyetjet e redaksisë. “Thonë se zoti vonon, por kurr nuk harron”, ka thënë Topalli, pasi është pyetur se si ndihet për këtë arritje.
“Më në fund jam shpërblyer për gjithë atë punë dhe sakrificë që e kam bërë, për gjithë këto kohë”, shtoi Topalli.
Qëllimi i tij është që të punojë fortë dhe të arrijë më lart se kaq. Ai synon që të ftohet nga përfaqësuesja A e Kosovës dhe të arrijë të luaj edhe më në maje se sa është aktualisht.
“Synimet e mia janë që unë të vazhdojë të punoj fort dhe të shpresoj që fati të jetë në anën time, në mënyrë që të arrijë edhe më lart se kaq. Mendoj se gjithçka varet nga puna ime dhe nëse vazhdoj kështu, një ditë edhe mund të ftohem tek përfaqësuesja e Kosovës” vazhdoi kaçanikasi.
22 vjeçari tutje tha se ai e ka përcjellë ligën turke që një kohë të gjatë, pasi e ka ditur se aty do të ishte hapi i tij i radhës në karrierë dhe ai e njeh shumë mirë këtë ligë dhe kualitetet e saj. Madje ka edhe disa këshilla për lojtarët e rinj në Kosovë, të cilët guxojnë të ëndërrojnë lart, po aq sa ai.
“Punoni fort, mos u ndalni kurrë, sepse çdo sfidë që ju do të përballni, është një tregues se ju jeni në rrugën e duhur dhe se vetëm duhet të vazhdoni edhe më fort edhe më bindshëm”, përfundoi ai.
Jetmir Topalli, është lojtari i parë nga Super liga, që sivjet që ka arritur të transferohet jashtë Ipko Super ligës, por rrugën e tij, pritet ta ndjekë edhe tanimë ish-shoku i tij i skuadrës te Ballkani, Blend Baftiu. /Insajderi.com