Johnson: Britania duhet t’i kundërshtojë dhunuesit e BE

Ish shefi i diplomacisë i Britanisë së Madhe thotë se negociatat kanë hyrë në krizë dhe se kryeministrja Theresa May duhet ta ndërrojë taktikën.

Johnson: Britania duhet t’i kundërshtojë dhunuesit e BE

Britania e Madhe duhet t’i kundërvihet dhunuesve në Bashkimin Evropian dhe të bëjë presion që të arrihet marrëveshja mbi tregtinë e lirë, sikur ajo në mes të Kanadasë dhe BE, ka porositur ish ministri i jashtëm britanik Boris Johnson, duke rritur kështu presionin ndaj kryeministres Theresa May për shkak të Brexitit.

Ai në një tekst për gazetën “Telegraph” ka vlerësuar se negociatat për Brexit kanë hyrë në “momentin e krizës” dhe se May ishte dashur ta ndërrojë taktikën, transmeton Reuters.

“Vjen momenti kur duhet t’i kundërvihesh dhunuesve. Pas më tepër se dy vjet maltretimi të pamëshirshëm të BE-së, është koha që Britania e Madhe të bëjë rezistencë”, ka thënë Johnson.

Ish shefi i diplomacisë britanike konsideron se ekzistojnë zgjidhje më të mira, gjegjësisht marrëveshja “super Kanada”, i cili nënkupton se nuk ekzistojnë tarifat dhe kuotat.

Edhe pse ka mbetur më pak se gjashtë muaj deri te dalja e Britanisë së Madhe nga BE, gjatë raundit më të ri të negociatave në Bruksel nuk është arritur marrëveshja mbi kushte e daljes së Britanisë së Madhe nga BE.

Negociatorët e BE dhe Britanisë së Madhe i kanë ndërprerë përkohësisht negociatat deri kah mesi i javës./Insajderi.com.