Johnson pas takimit me Biden: Britania dhe SHBA-ja kanë ‘marrëdhënie të pathyeshme’

Johnson pas takimit me Biden: Britania dhe SHBA-ja kanë ‘marrëdhënie të pathyeshme’

Aleanca midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar duhet të njihet si “marrëdhënia e pathyeshme”, i ka thënë Boris Johnson BBC-së pasi u takua me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, për herë të pare, transmeton Insajderi.

Ai tha se kishte bisedime “të frytshme” me Biden, i cili ka udhëtuar në Cornwall për samitin e G7 të liderëve botërorë.

Samiti fillon më vonë, me vaksinat dhe ndryshimin e klimës në rendin e ditës.

Johnson këmbënguli që presidenti amerikan nuk e kishte qortuar atë për tensionet pas Brexit në Irlandën e Veriut.

Sidoqoftë, Biden thuhet se ka “shqetësim të thellë” mbi situatën.

Të dy liderët u takuan në Gjirin Carbis, Cornwall, të Enjten përpara takimit të G7.

Në takimin e nivelit të lartë do të marrin pjesë udhëheqësi i Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilët do të mblidhen për herë të parë që nga pandemia.

Përpara takimit, Johnson u zotua se Mbretëria e Bashkuar do të dhurojë më shumë se 100 milion vaksina në vendet e varfëra në vitin e ardhshëm, ndërsa Biden premtoi 500 milion doza të vaksinave Pfizer në 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të Mesme dhe Bashkimin Afrikan.

Kombet e G7 pritet të bien dakord kolektivisht për të siguruar një miliard doza të vaksinës anti-COVID’19 në një përpjekje për t’i dhënë fund pandemisë në 2022./Insajderi.com