Anthony Joshua i është kundërpërgjigjur Deontay Wilderit, duke thënë se lufta do të zhvillohet sipas ‘kushteve të tij’.
Numri një i botës aktualisht në boks, Anthony Joshua, ka thënë se beteja me Deontay Wilder do të zhvillohet vetëm sipas kërkesave të tij, raporton BBC Sport, përcjell Insajderi.
Joshua, i cili mundi Carlos Takamin në Cardiff në muajin tetor, vazhdon të jetë i pamposhtur në karrierën e tij si profesionist.
Britaniku ka insistuar se nuk po i shmanget asnjë kundërshtari, dhe ka theksuar se rivalët e tij vetëm po “bëjnë zhurmë” në rrjetet sociale.
28-vjeçari aktualisht mbron titujt e WBA, IBF dhe IBO të titullit botëror, derisa amerikani Deontay Wilder është kampioni i WBC, kurse rivali tjetër Joseph Parker mban titullin e WBO.
“Jam serioz në shpalljen e kampionit të padiskutueshëm të peshave të rënda, por negociatat nuk ndodhin në rrjete sociale”, ka thënë Joshua.
“Për mua nuk është problem fakti se Wilder dëshiron të përballemi herët vitin e ardhshëm, por ende nuk më është bërë asnjë ofertë”, shtoi 28-vjeçari.
“Le t’i prezantojmë atij një ofertë, dhe të shohim se si ndihet për këtë. Nëse Wilder nuk po bën një ofertë, do ta bëjmë sipas kushteve të mia”, përfundoi Joshua. /Insajderi