Juan Guaido shfaqet në rrugët e lagjeve të varfër të Karakasit

Qeveria e Venezuelës vendosi ndaj udhëheqësit opozitar Juan Guaido masën e ndalimit të mbajtjes së posteve publike për 15 vjet. Vetëm disa orë më pas, zoti Guaido foli përpara mbështetësve në një lagje të varfër të kryeqytetit Karakas.

Juan Guaido shfaqet në rrugët e lagjeve të varfër të Karakasit

Juan Guaido, kryetari i Asamblesë Kombëtare të udhëhequr nga opozita, i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera si presidenti i përkohshëm i vendit, u bëri thirrje mbështetësve të mos qëndrojnë të heshtur, ndërsa Presidenti Nicolas Maduro përpiqet të mos e lejojë atë të marrë kontrollin e qeverisjes së vendit.

“Çdo herë që gjendem këtu mes jush është një humbje për regjimin. A e dini se prej sa kohësh kanë dashur të më arrestojnë? Çdo ditë që jam në rrugë me ju është një fitore. Tashmë ata gjenden të izoluar, pasi nëse më arrestojnë kjo do të jetë humbja e tyre e fundit. Populli do të vazhdojë të qëndrojë në rrugë, pasi ne do të dalim në rrugë edhe me më shumë forcë për të zbatuar Planin Liria të opozitës dhe do t’i sfidojmë derisa Venezuela të jetë e lirë”, u tha mbështetësve zoti Guaido.

Nicolas Maduro, i cili gëzon mbështetjen e Rusisë me furnizime dhe personel ushtarak në terren, thotë se është bërë objektiv i një puçi të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ai ka akuzuar Uashingtonin dhe Guaidonë për sabotimin e rrjetit energjetik të Venezuelës.

Shtetet e Bashkuara dhe opozita venezuelase, si dhe shumë ekspertë të energjetikës, thonë se shkaktarë të probleme energjetike të Venezuelës janë neglizhenca dhe keq menaxhimi.