Juventusi është rikthyer te fitorja në kampionat, teksa ka mposhtur ditën e sotme Spezia-n me rezultatin 3-0, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të, njofton Insajderi.
‘Bardhezinjtë’ marrin kështu një fitore shumë të rëndësishme, e cila i dërgon në kuotën e 49 pikëve, tre më pak se Milani i vendit të dytë dhe shtatë më pak se Interi kryesues.
Për të kaluar te ndeshja, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ku ‘bardhezinjtë’ kishin disa raste shënimi, por nuk ia dolën të shënojnë.
Pjesa e dytë ishte një tjetër histori, teksa ndeshjen do ta zhbllokonte Alvaro Morata, i cili një minutë pasi ishte aktivizuar, ia doli të shënojë në minutën e 62-të. Nëntë minuta më vonë mendoi Chiesa për të dyfishuar shifrat she për të qetësuar Pirlon.
Megjithatë ndeshjen e vulosi Cristiano Ronaldo, i cili pasi ishte ndalur te shtylla në pjesën e parë, në minutën e 89-të, shfrytëzoi në maksimum një asist të Bentancur, për të shënuar golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes. /Insajderi.com