Ergys Kaçe është prezantuar sot si lojtar i Viktoria Plzen, skuadrës kampione të Çekisë. Pasi ka rinovuar dje me PAOK-un, klubin mëmë në Greqi, deri më 2020, mesfushori shqiptar është nisur drejt një aventure të re, çka përbën edhe lëvizjen e parë të tij nga Selaniku.
Ai është huazuar në kampionatin çek për 1 vit, ndërkohë që skuadra e tij e re do të jetë pjesë e fazës së grupeve në Ligën e Europës. Një mundësi e artë për shtatshkurtërin korçar, që të ketë hapësirë aktivizimi dhe të lërë shenjën e tij në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet në Evropë.
Në faqen zyrtare të Viktoria Plzen në internet është hedhur fotoja e Ergys Kaçes, me fanellën e re, në stadiumin ku do të luajë në vazhdim.
“Skuadra jonë përforcohet me mesfushorin e Sionit, Martin Zeman, dhe lojtarin e përfaqësueses shqiptare, Ergys Kaçe, që vjen nga PAOK-u i Selanikut. Do të kemi një vjeshtë të vështirë, sepse garojmë në dy drejtime njëkohësisht: në kampionat dhe Kupat e Europës, kështu që kemi vendosur të bëjmë përforcime, – ka thënë menaxheri i përgjithshëm i klubit çek, Adolf Sadek.
Përfaqësuesi shqiptar, Ergys Kaçe, ka luajtur në Europianin e Francës, qershorin e kësaj vere, dhe vjen nga PAOK-u në formë huazimi, me një vit opsion. Kemi kohë që e shikojmë atë dhe jemi të kënaqur për akordin e arritur. Ai është një përforcim i duhur për mesfushën dhe rritjen e konkurrencës në këtë repart”. Të premten, Viktoria Plzen do të mësojë në Monako emrat e rivalëve për fazën e grupeve të Ligës së Europës, ndërsa të dielën e pret një ndeshje e kampionatit, kundër Slavia.